Pas më shumë se një ore bisede me kreun e shtetit italian Mattarella, Mario Draghi ka pranuar pozicionin e Kryeministrit por me rezervë.

Pranimi me rezervë është një formulë e cila do të thotë që Kryeministri i ngarkuar kryen një raund të shkurtër konsultimesh midis forcave politike në Parlament.

Pastaj ai paraqitet përsëri në Presidencë për të vendosur pozitivisht ose negativisht.

Kush është “Super Mario” që mund të shpëtojë Italinë

Italia është përfshirë në një krizë të thellë politike pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte dhe mosarritjes së një dakordësie mes palëve për një koalicion. Presidenti italian, Sergio Mattarella, do të takohet me Mario Draghi-n, një emër i njohur, këtë të mërkurë ku do t’i kërkojë të formojë qeverinë e re. Kjo, pasi sipas Mattarella-s, vendi tashmë ka nevojë për një qeveri me figura të larta.

Mario Draghi njihet shumë në Europë pasi ka drejtuar Bankën Qendrore Europiane në momentet më të vështira të kontinentit të vjetër, atëherë kur ishte mbërthyer nga kriza ekonomike. “Supermario” e kanë quajtur që prej atëherë Draghi-n. Tashmë i takon atij që të vendosë nëse do ta marrë këtë sfidë të re.

“Italiani që shpëtoi Europën duhet që tashmë të jetë në gjendje që me prestigjin e tij të marrë një mazhorancë solide në parlament”, shkruajnë mediat.

Emri i Draghi-t doli në skenë në momentin që Giuseppe Conte dha dorëheqjen. Ai shihet si personi që mund të bëjë bashkë palët dhe të tejkalojë këtë krizë. Për shumë analistë, kjo është karta e fundit e përdorur për të mos shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme që do ta linin vendin në paqartësi në mes të një krize shëndetësore, sociale dhe ekonomike shkaktuar nga Covid.

Dhe për të fituar këtë sfidë, vendi duhet të menaxhojë fondet Europiane. Dhe për analistët, “Supermario” mund ta bëjë. “Draghi ka demonstruar qëndrueshmëri në drejtimin e BQE-së, duke mbrojtur parimet europiane dhe duke shërbyer si mburojë e vështirësive dhe kontradiktave të Unionit drejt tregjeve”, shkruan Corriere.

Por kush është Mario Draghi?

Ai është diplomuar në Universitetin e Sapienza-s dhe ka një diplomë master në Boston. Ka shërbyer si drejtor i Therasit me ministrin Carlo Azeglio Ciampi. Më pas, Draghi ka punuar për shumë kompani të njohura ndërkombëtare. Mbi supe ka mbajtur edhe drejtimin e Bankës së Italisë. Ky pozicion i hapi dyert në Bordin e Stabilitetit Financiar dhe e bëri anëtar të bordit të Bankës Europiane Qendrore.

Shpëtimtari i Europës

Për shumë njerëz, Mario Draghi shikohet si personi që shpëtoi Europën, pasi vendosi konsensus mes shteteve në 2011-ën. Ai njihet për moton “çfarëdo që të jetë e nevojshme”. Draghi uli tensionet mes shteteve pasi ndaloi tregjet dhe shërbeu si mburojë për vendet për shkak të trendit në vlerësimin e bonove. Ai ka menaxhuar me kujdes BQE-në dhe ekspertët thonë se ndryshoi “kutinë e saj të mjeteve” pa qenë nevoja t’i shtrembëronte rolin dhe qëllimin kryesor.

“E ardhmja? Pyesni gruan time”. Me këto fjalë ai la drejtimin e BQE-së. Edhe më parë politika e ka vendosur në role të rëndësishme Draghi-n. Përpara kësaj krize kanë qenë të shumta zërat që e shihnin Draghi-n edhe si President të Italisë. Nga ekspertët, “Supermario” konsiderohet si një person që mban balanca të shkëlqyeshme pa qenë nevoja që të fshehë opinionet.

“Jemi përballë një lufte kundër koronavirusit dhe duhet të luftojmë sëbashku”, ka thënë ai. “Pasojat do të jenë të pakthyeshme”, shtoi ai gjatë një interviste dhe analistët e kanë cilësuar këtë deklaratë në të njëjtën linjë me atë që shprehu Presidenti Mattarella të martën. Këtë verë ai ka bërë thirrje që të fokusohet vëmendja tek të rinjtë. Ai u ka kërkuar qeverive që të garantojnë likuiditet për bizneset dhe të mbështesin të ardhurat, madje duke rritur borxhin.