Një tërmet i fuqishëm ka goditur Kroacinë të dielën. Sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, (GFZ), tërmeti me magnitudë 5.3 kishte epiqendrën në veri të Zagrebit.
Fillimisht nuk është raportuar për të lënduar, por tërmeti ka rrënuar shumë objekte e ka detyruar njerëzit të dalin në rrugë.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozinoviq, ka kërkuar përmes Twitterit që njerëzit që dalin në rrugë të mbajnë distancë teksa vendi po përballet edhe me shpërndarjen e koronavirusit. Deri tash, në Kroaci janë raportuar 206 raste me infeksion, ndërsa një person ka vdekur.
Një fëmijë vdes si pasojë e tërmetit në Kroaci
Një fëmijë 15-vjeçar ka vdekur si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ka goditur Zagrebin të dielën.
Sipas raportimeve në Kroaci, Zagrebi u godit nga tri tërmete të fuqishme në mëngjes, ndërsa situata u bë më e vështirë për shkak të rrezikut nga përhapja e kronavirusit.
Në mëngjes është mbledhur kreu shtetëror në një mbledhje te jashtëzakonshme. Qytetarët janë të frikësuar por edhe të hutuar sepse u është thënë që të rrinë në shtëpi për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit ndërsa të tjerët u kanë thënë që të rrinë jashtë. Situatën e bën më të vështirë edhe moti shumë i ftohtë për këtë kohë. Ministri i brendshëm i Kroacisë Davor Bozhinoviq u ka thënë qytetarëve se, pa marrë parasysh tërmetit, të mos harrojnë të mbajnë distancë mes njëri tjetrit së paku 2 metra sepse, siç është shprehur ai “virusi nuk njeh termet”.