Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të enjte në Azerbajxhan, ku është pritur nga zëvendëskryeministri Shahin Mustafayev, zëvendësministri i Punëve të Jashtme Khalaf Khalafov dhe zyrtarë të tjerë.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Heydar Aliyev”, i dekoruar me flamujt kombëtarë të dy vendeve.

Kryeministri Rama, gjate kesaj jave, do te vizitoje edhe Turqine.

Fokusi i takimeve do të ketë kryesisht karakter ekonomik.

Vizita në Azerbajxhan

Sipas agjendës, të enjten e 14 prillit, Rama do të pritet nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ku dhe do të organizojnë një takim tete-a-tete.

Si pjesë e agjendës në shtetin në Kaukaz, kryeministri ka edhe vizitën në memorialin e varrezave të dëshmorëve dhe takimin bilateral me Sahiba Gafarova, kryetar i Kuvendit të Republikës së Azerbajxhanit.

Vizita në Turqi

Në orën 11:00 të së premtes, kryeministri do të udhëtojë drejt aeroportit të Stambollit dhe në orën 13:30 pritet të takohet me përfaqësues të kompanisë “Tubitak”, Institucioni Kërkimor Shkencor dhe Teknologjik i Turqisë.

Sipas agjendës së Ramës të bërë publike, ai do të takohet në Turqi me përfaqësues të kompanisë turke “Tubitak” dhe me presidentin azer, Ilham Aliyev.