Prej ditësh, Presidenti i Republikës ka njoftuar përmes deklarateve për mediat se “është e pamundur zbatimi i Ligjit për Reformën në Drejtësi”
Kjo bëhet e pamundur për shkak se mungojnë ligjet që udhëzojnë dhe bëjnë të mundur zbatimin e Ligjit të Reformës.
Gjithashtu, Presidenti i republikës ka kërkuar edhe “ndryshime të tjera në Kushtetutë,” me qëllim që të bëhet i mundur instalimi i Reformës.
Sot, rreth këtyre deklaratave reagoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
“Nëse Presidenti s’ka mundësi të hedhë shortin, – tha Meta sot për mediat, – është përgjegjësia jonë si Kuvend që t’i japim mundësinë të ushtrojë përgjegjësitë e tij dhe uroj që kjo të përmbushet shumë shpejt.”
Deklarata e Metës erdhi një ditë pas deklaratës së Presidencës në të cilën njoftohej pamundësia për hedhjen e shortit: “Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në mungesë të ligjeve, – thuhej më tej nga Presidenca, – që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizmit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese.”