Frrok Çupi

U kthyen më në fund, tani lufta nuk ka më vlerë. Këta morën plagë dhe shkaktuan të vdekur, por u mblodhën në folenë ku ishin. Lufta e tyre për të fituar pushtetin mbi shqiptarët, u fik. Kishin vënë në krye të kolonës një banderolë ku shkruhej ‘Shqipëria fiton’. I vetmi shkrim e këndim i saktë i tyre, ky ishte: ‘Shqipëria fiton!’; i saktë sepse Shqipëria fitoi. Tani duhet thënë me zërin plot se ‘Shqipëria shpëtoi!’. Qysh prej kohëve më të errëta ky vend shqiponjash nuk ishte ndjerë më i rrezikuar prej të tijve; po të fitonin këta, atëherë nuk dilnim dot kurrë më nga gremina.

Asnjëri prej fajkonjve nuk fluturon dot më, as për njëqind vjet.

Nëpër fole po kërkojnë teshat që lanë, megjithëse këto nuk vlejnë për herën tjetër. Ilir Meta, kur vuri këmbën në presidencë, rrëzë derës strehoi partinë e tij, si një ushtë. LSI nuk është më, ka bjerrë rrugës. Në luftën tjetër presidenti nuk ka as shpatën e vjetër.

Edhe Luli, kur nisi luftën, e përcollën bashkë me Partinë, por u kthye pa gjë. Ka humbur përfundimisht Partia Demokratike. Ata që mbushnin radhët dhe xhironin goma makinash, ata kanë ikur kushedi se ku, as telefonat nuk i hapin më. Të tjerët që i thonë vetes ‘truri i PD’ po shuajnë njëri tjetrin. Kritikët e kryetarit të PD kanë ardhur te porta e selisë që ka qenë shtëpia e Oficerëve (Pse vallë i thonë ‘Shtëpi e Lirisë’, hajde gjeje!)  dhe kërkojnë të dalë kryetari. ‘Demo ti e Demo unë/ Dil Lulu se kam pak punë!’. Luli nuk del, por lëshon kasnecët që të sulmojnë ata te porta. Partitë staliniste, gjithmonë, i grijnë nga brenda ‘trockistët’ që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit. Do t’i grijnë dhe do të vetë-grihen edhe këta! Në Partinë Demokratike, njëra palë ka ngrënë palën tjetër, komunistët kanë ngrënë komunistët, sigurimsit kanë shqyer sigurimsit, demokratët kanë rrahur demokratët. Ka ardhur edhe Stresi me të atin, dhe kanë nisur t’i rrahin këta që luftojnë te porta e ‘folesë’. PD e Berishës e ka në ADN rrahjen dhe dhunën. Në tokën shqiptare nuk kanë lënë njeri të gjallë nga ata që i kanë ‘bezdisur’ në folenë e pushtetit, por deri në Bruksel  kanë rrahur ‘zogjtë e mëdhenj kundërshtarë’. Në një nga hotelet luksoze të Evropës, Izeti rrahu ministrin e Jashtëm Sereqi, ndërsa në një hotel tjetër Saliu i Stresit rrahu ministrin Milo. Brukseli nuk do të bëhej kurrë fole e shqiptarëve derisa këta rrahës të mos izolohen.

Edhe Jezusi, i rrahuri i madh, në ditën e 25 lindi.

Me siguri, ngjarja e mbrothët e shqiptarëve e datës 25, do të drejtojë për në qeli të gjithë ata që i kanë rënë në qafë të gjallëve të këtij vendi. Shumica ndodhet në lidershipin e PD dhe LSI. Prandaj edhe shumica e prangave do të thërrasë shumicën e kësaj pakice politike.

… Edhe Ilir Meta me trofe lufte dhe si kandidat për një fole të re, u kthye nga misioni. Rrugës, diku preku në një vend ‘të keq’ dhe, pa kuptuar, u kthye prapa në jetën e dy shekujve pas. Ka një letërsi të tërë në botë që e ka provuar një kthim të tillë imagjinar. Meta, prej shekullit të tij 18 a 17, mori vegla të vrasjes shtazarake: sfurqe, kosore, sharra, çekiçë, tela. Të gjitha i ka depozituar në folenë e presidencës për herën tjetër. Kësaj here njerëzimi do të shpëtojë prej tij, për dy arsye:

E para se Ilir Meta nuk mund të kthehet më në shekullin aktual. E dyta, sepse nuk ka më kohë për të; të martën Kuvendi do të vendosë për largimin ‘nga foleja’ e pastaj vjen edhe një letër me një firmë shtremba- shtremba nga prokurori.

Kthim të arsyeja e parë:  Presidenti Meta u provua se nuk i përket këtij realiteti. Po të ishte në këtë realitet, dje dhe sot presidenti i Republikës do të ndodhej në stërvitjen e madhe të ushtrisë Amerikane dhe 26 aleatëve që po zhvillohet në vendin tonë; jo në llomotitje konferencash të çartura. A nuk është edhe president edhe komandant i Forcave të Armatosura e duhej të ishte diku në ballë të ushtrive aleate? Mirëpo Amerika dhe aleatët erdhën e nuk e ‘njohin’ të zotin e shtëpisë.

Fati i mirë i Shqipërisë është që këta kanë mbërritur e janë mbyllur në fole.

VERITAS.COM.AL