Nga: Laert Skiro/
Përfaqësuese e Komisionit Europian në Tiranë, zonja Romana Vlahutin, është shfaqur shpejt pas gushtit, para mediave. Madje është shfaqur para të gjithëve, gjë që tregon edhe për impenjimin e institucionit të BE që përfaqëson.
Megjithëse është shfaqur në një aktivitet të Këshillit Kombëtar të Integrimit (një shkollë verore për integrimin), gjithë tehun e mesazheve e kishte për ‘shkrirjen’ e Ministrisë së Integrimit në përbërje të qeverisë së re të kryesuar nga Rama.
“Ka akoma shumë paqartësi në lidhje me ndryshimet që do të bëhen në lidhje me mekanizmat e Integrimit në BE”- deklaroi Vlahutin, duke iu drejtuar direkt qeverisë e cila ka lënë jashtë një ‘mekanizëm të integrimit’ në BE- sipas përfaqësueses së BE.
Shkrirjen e Ministrisë ajo e konsideroi ‘gjysmë zgjidhje’ gjë që e dëshmoi ambasadoren si të nervozuar dhe të nxituar ndaj qeverisë.
“Integrimi nuk mund të arrihet nëse nuk ecim përpara- tha ajo. Dhe Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë talentet”- tha.
Zonja Vlahutin kur foli për ‘talente shqiptare’ ndodhej në të njëjtin panel me ish ministren Majlinda Bregu. Mediat i kanë kapur të dyja si shoqe të ngushta që kalojnë edhe pushimet verore së bashku. Zonja Begu ishte përfolur edhe si ministre e mundshme në qeverinë Rama 2.
Zemërimi i zonjës Vlahutin ndaj qeverisë Rama, me të cilën e lidhte një miqësi e afërt- sipas vëzhguesve dhe opozitës- vjen menjëherë pas takimit të komisionarit të BE, Hanes në Durrës, i cili e vuri theksin te ‘bashkëpunimi ballkanik’ dhe jo te ‘Integrimi’. Integrimi le të vijë kur të vijë- la të nënkuptohet komisionari, por tani ‘bashkëpunim ekonomik në Ballkan”- tha.
Dy deklarata të ndryshme nga përfaqësues të BE në Tiranë tashmë nuk janë një ‘çudi’. Por në këtë rast, kur qeveria nuk do të ketë ‘Ministri Integrimi me BE’ zonja Vlahutin mund të ndihet e rrezikuar për postin e saj, i cili del i tepërt.
Veritas.com.al/