Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti refuzoi këtë të mërkurë që të ulej në tryezë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi me presidentin e këtij vendi Aleksandër Vuçiç, duke i thënë Brukselit zyrtar se në mënyrë që ky dialog të shkojë përpara Prishtina Zyrtare kërkon plotësimin e tri kushteve.

Ishte Joseph Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian që zbuloi diçka të tillë në një konferencë për shtyp pas takimeve të mbajtura veç e veç me palët.

“Diskutimet ishin të vështira ashti siç pritej, ashtu siç kanë qenë gjithnjë. Nuk pati takim tri palësh, Kosova nuk ishte e gatshme për dicka të tillë ndërsa Serbia Po. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti prezantoi tri kushtet e Prishtinës Zyrtare për të vijuar angazhimin e këtij vendi në procesin e dialogut për normalizim të marrdhënie. Albin Kurti kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes bazë nga të dy krerët e shteteve, tërheqjen e Letrës së ish kryeministres Serbe Ana Bërnabiç e cila iu dërgua Brukselit dhjetorin e shkuar ku Serbia thotë se nuk zbaton disa nene të marrëveshjes si dhe dorëzimin Milan Radoiçiç dhe grupit të tij militant përpara autoriteteve ligjvënëse të Kosovës.”, tha ai.

Joseph Borrell theksoi përgjatë konferencës së tij për shtyp se Bashkimi Europian është në rolin e negociuesit dhe nuk mundet që të ketë normalizim të marrëdhënieve vetëm nëpërmjet Brukselit nëse Kosova dhe Serbia nuk angazhohen për diçka të tillë. Kreu i Politikës së jashtme në unionin 27 anëtarësh theksoi se Bashkimi Europian kishte një plan të ri mbi implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por ky plan nuk u diskutua për shkak të mos angazhimit të palëve.

Nga ana tjetër Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se ka pasur takime të suksesshme me Borrell dhe Lajcak dhe shtoi se edhe pa prezencën e Kurtit, ai dhe Serbia do të vijojnë të luftojnë për të drejtat e popullit të tij që jetojnë në veri të Kosovës.