Nga Leart Skiro

 

Ardit Gjoklaj u vra të dielën në “fushën e plehrave” në Sharrë. Tani nuk quhet më “fushë e plehrave”, por ka një emër modern në gjuhë të huaj “Landfill”.

Siç  ka edhe fytyrën e ndryshuar mafia e plehrave, e cila fshihet pas kushedi sa emrave.

Vrasja e 17 vjeçarit, Gjoklaj, shkaktoi dhimbje shumë të madhe. Por edhe dhimbja njerëzore nuk u shfaq aq e gjerë sa ishte. Mediat dhe vetë pushteti që ushqen lajmet, u kujdesen veçanërisht që vdekja, si edhe trupi i Arditit, të mbuloheshin me harresë. Po flitet tepër, po shumë tepër, për gjithçka; veç për misterin e vrasjes së Arditit nuk po flitet. Edhe bishtat e cigareve që u gjetën në vendin ku u vodh një bankë, edhe për këtë po flitet pa pushim, ndërsa për një akt barbar të mafies së plehrave nuk po flitet.

Sot mbushen katër ditë që nga e diela e vrasjes në Sharrë. Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, nuk ka thënë asnjë fjalë. A nuk e mbani mend sa vdes ky njeri që të flasë me dhembshuri për gjithçka që prek zemrat e votuesve?! A nuk e mbani mend se ka mbajtur në krahë fëmijë rom deri në spital? Mirë ka bërë. Ka folur edhe për qentë e rrugës, me dhembshuri hipokrite që e karakterizon…

Ndërsa për vrasjen e Arditit, asgjë.

Po pse nuk flet kryetari i Bashkisë ku ndodhet landfilli që mbuloi trupin e djaloshit?

Ka disa arsye, edhe të hamendësuara, përderisa kryetari i Bashkisë, Veliaj nuk dëshmon vetë asgjë

Një arsye e parë:

Përpunimi i plehrave në landfill, ishte një projekt i ideuar dhe mbështetur publikisht nga Erjon Veliaj, që i ftonte të papunët të përfshiheshin në projekt dhe madje në punë. Kjo ishte një rklamë politike shumë e gjetur, përderisa edhe Tirana ka kaq shumë të papunë, aq më shumë në radhët e rinisë. Domethënë kryetari i Bashkisë është bos i këtij projekti, vallë si hesht për një vrasje në projekt?!

Një arsye e dytë:

Kryetari i Bashkisë  Veliaj doli garant se punonjësve do t’i paguheshin sigurimet shoqërore dhe do të punonin sipas të gjitha kushteve. Por nuk rezultoi kështu për Ardit Gjoklajn. Bashkë me shumë persona të tjerë, Gjoklaj punonte në të zezë dhe u vra duke punuar nga përplasja e eskavatorit. Sipërmarrja private e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës, duhej të garantonte sigurinë e jetës për 17 vjeçarin dhe punëtorët e tjerë që paraqiteshin çdo mëngjes në Landfill. Veliaj hesh në këtë rast. Po pse? Sepse duke heshtur  synon të kapërcejë mbi një vrasjeje, pas të cilës qëndron një afere e dyshimtë korrupsioni.

Një arsye e tretë, elektorale:

Edurim Teqja, personi i shpallur në kërkim nga policia si administrator i kompanisë “3R”, është njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste të Peqinit dhe po ashtu drejtor i OSHEE-së. Ky, veç miqësisë së ngushtë me kryetarin e Tiranës, ka në dorë edhe disa vota për Partinë Socialiste. Të manipuluara ose jo, votat që ka në dorë Teqja, e kanë sjellë këtë deri në këtë pozitë me dy funksione përmbledhëse.

Dhe si përfundim:

Në mos një mafie e organizuar për vrasje ndaj atyre që kanë origjinë nga veriu i vendit, ose arsye të tjera fetare, vrasja e Arditit është kryer për të fshehur një akt mafioz të kushedi çfarë thellësie.

Atëherë, autorët heshtin që të mos zbulohen