Zëvëndëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ka deklaruar se qeveria mund të bëjë gati një paketë të dytë dhe të tretë të Rezistencës Sociale nëse situata përkeqësohet.
 “Paketa e rezistencës sociale shkon në shpirt të qeverisë shqiptare. Ne kemi debatet tona a mund të bëjmë më shumë se nuk jemi ujë i ndenjur”, u shpreh Ahmetaj duke vënë theksin të puna e qeverisë.

Në fjalën e tij Ahmetaj bëri një rezyme duke sjellë në vëmendje se qeveria që udhëhiqet nga socialistët i ka dëgjuar qytetarët dhe protestat që janë zhvilluar.

“Një qeveri e dikurshme ka vrarë katër qytetarë në protesta. Qeveria e sotme në mandatin e parë që në momentet e para u tërhoq nga një marrëveshje me partnerët strategjikë për pseudo armët kimike”, tha Ahmetaj duke risjellë episodin e trishtë të protestës së 21 janarit 2011, kur asokohe ata ishin opozitë.

(Bordi i Transparencës)

Sakaq ai ka vijuar duke theksuar se qeveria e sotshme u përball me tërmetin dhe pandeminë që pllakosi mbarë globin.

“Cila ishte dhe është përgjigja e qeverisë tre ose katër vitet e fundit. Kujtoj tre momentet e vështira që po kalojmë. Tërmeti -ka qenë legjitim dyshimi nëse qeveria do përgjigjej. Ja ku jemi sot, të gjitha familjet po kthehen në shtëpi. Po pandemia- ishin 283 mijë qytetarë që u shërbyen nga qeveria në atë moment global. Pjesa tjetër lufta. Ne nuk jemi në kufijtë e luftës fizike por po ndikon në ekonomi”, shtoi Ahmetaj nga foltorja e Kuvendit.

Rritja e çmimeve

Ndërsa duke u ndalur të rritja e çmimeve, Ahmetaj sërish kujtoi vitin 2010 kur në pushtet ishte Partia Demokratike.

Çmimi i naftës në vitin 2010 ka qenë 2 mijë lekë të vjetra dhe nuk ka pasur taksë qarkullimi. 449 mijë ton keni importuar kur keni qenë në qeveri, ku ka qenë të tjera”.

Sa i përket çmimit të grurit që ka shkuar dyfish, Ahmetaj vijoi se, “e kishim parashikuar në buxhet pasi është pjesë e paketës për të mbështetur qytetarët, familjarët e dhe biznesin e vogël. Mbështetja vetëm me diferencën e çmimit shkon 150 milionë dollarë”.

Duke përmendur energjinë, ai tha se kaskada është e mirë menaxhuar, por sërish vendi ka nevojë të blejë.

“Qeveria nuk ia ndryshoi çmimin. Kjo është paketa më e madhe. Nuk është e mjaftueshme, do vazhdojmë nëse do ketë nevojë se nuk e dimë kur mbaron lufta. Nuk ka në Evropë, më gjeni një vend tek që mbështet familjet dhe nuk i ka rritur çmimet”.

Gjithashtu Ahmetaj përmendi dhe punën e Bordit të Transparencës, e cila po bën transparencë mitikuloze.

“Asnjë nga ata nuk janë të mbinatyrshëm që të vendosë çmimet në bursë. Paketa është 5.2 miliardë injektim për të mbajtur aq sa mban qeveria se populli dhe qytetarët normalisht që kanë nevojë për më shumë”.

Ai e përmbylli duke ritheksuar se nëse preken taksat atëherë do të cenohen pensionet.

“Nuk është as 2.2, as 3.6 indeksimi i pensioneve është 3.3. Janë gati më shumë se gjysmë milioni qytetarë që përfitojnë. Ne kemi rekorde shumë të mira në raport me përgjegjshmërinë sociale dhe me rezistencën sociale”, e përmbylli Ahmetaj.