Lefter Koka ka hequr dorë nga mandati si deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit.
Por vendin e tij në Kuvendin e ri pritet që ta zërë kandidati socialist, Denis Deliu i cili ka marrë 2848 vota.
Koka në zgjedhjet e 25 prillit ai garoi për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në Durrës dhe arriti të fitojë mandatin duke u renditur i 7-ti me mbi 9 mijë vota. Më herët Lefter Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit nën siglën e LSI-së.
Sipas kodit zgjedhor, 30% e listave të partisë socialiste duhet të jetë e plotësuar me kandidate femra në Kuvend. Në rast se nuk është plotësuar kjo shifër atëherë e para në radhë nga femrat është kandidatja, Ana Dhamo me 2031 vota.
Letra e deputetit Koka:
2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.
Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.