Nga: Prof. Dr. Arben PILACA

Të dashur Shkodranë, unë jam një djalë lindur, rritur dhe bërë burrë në Shkodër. Aty kam shumë çka edhe pse sot, unë nuk jetoj të përditshmen e saj. Kam nanën, motrat, nipat dhe mbesat, stërnipat dhe stërmesat, kam kushëritë e parë, të dytë e me radhë, kam shokët më të mirë, kam miqtë e pafund, kam mësuesit e mi. Pra, jam një SHKODRAN.

Po ndiqja pamje të transmetuara nga disa stacione të TV-ve në lidhje me zbatimin e masave mbi këtë pandemi vrastare dhe për çudi, konstatova se Shkodranët e mi ishin shembulli më i keq. Qytetarë të Shkodrës, situata që po përjeton mbarë njerëzimi është mjaft delikate. Kjo është një situatë vërtetë e rrezikshme, nuk është aspak lojë, nuk është grip, nuk do të kalojë kollaj dhe shpejt, do të shoqërohet me humbje dhe dhimbje. Prandaj, jemi të detyruar të gjithë që të zbatojmë rregullat e shpallura për një qëndrim në shtëpi, për mbajtjen e një higjiene dhe pastërtie sa më të mirë, lëvizjet e kufizuara në ambientin e jashtëm vetëm për arsye të domosdoshme dhe jetike, respektimi i distancës midis personave etj.

E kuptojmë të gjithë se nuk është e lehtë, duhet durim sepse këto janë masa të domosdoshme dhe e vetmja armë që kemi sot kundrejt këtij përbindëshi. Prandaj, Shkodranët e mi, pranoni thirrjen time si mjek që të ndryshoni sjellje dhe qasje ndaj kësaj situate menjëherë, pa humbur asnjë dekik sepse besomëni, kështu shpëtojmë shumë jetë.

Është momenti që shkodranët të tregojnë më të mirën e shpirtit dhe zemrës së tyre, për të qenë shembull ashtu siç i takon, në luftën ndaj këtij armiku të përbashkët. Indiferentizmi, mendjelehtësia, papërgjegjshmëria, nënvlerësimi i kësaj situate është nje akt vrastar, po, po, vrastar.
Shkodra deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Covid-19 pozitiv. Pavarësisht së ky është një lajm shumë i mirë, kjo nuk do të thotë se ky dreq infeksioni nuk është në Shkodër dhe as nuk do të shfaqet. Është një gabim fatal të mendohet në këtë mënyrë! Prandaj, të dashurit e mi: Ndiqni porositë që ju dikton situata, sepse kështu do të mbroni veten dhe të afërmit tuaj. Moszbatimi i masave të urdhëruara nga Qeveria, nuk duhet të shihet si një akt rebelimi apo sfidimi ndaj saj.

Moszbatimi, është atentat ndaj jetës!!
Shkodrani juaj,
*Mjek specialist infeksionist, Arben Pilaca’

VERITAS.COM.AL