Prokuroria merr të pandehur kryetarin e PD-së Lulzim Basha për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse. Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër paraqitje kundrejt liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe dy bashkëpunëtorëve të tij.

Prokuroria e Tiranës e dërgoi shkresën në adresën e Pd, mesditën e datës 12 qershor, shkresa  mban firmën e prokurorëve të çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj. Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Për çfarë procedohet Basha?

Prokurorët e Tiranës regjistruan procedimin penal nr.645 të vitit 2018. Pas përfundimit të fazës paraprake hetimore prokurorët gjetën elemente të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Veprimet përfshinë marrjen e letër-porosisë nga autoritetet në SHBA.

Në datën 17 qershor prokuroria e Tiranës pret t’ua komunikojë vendimin shtetasve Basha, Ristani dhe Dervishi.

Në ftesën ‘për paraqitje’ thuhet se Basha do pyetet në cilesinë e të pandehurit më 17 qershor, ora 9:30 dhe në rast se nuk paraqitet do të shoqërohet me forcë.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë po kryen hetime në funksion të procedimit penal me Nr.645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim penal janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, nga të cilat kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal, të kryera nga shtetasit Lulëzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Paraqitja në prokurori sipas nenit 308, në cilësinë e të pandehurit

Nisur nga sa më sipër, në bazë të nenit 308 të Kodit Pr.Penale, lind e nevojshme të njoftohet për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë tek prokurorët e çështjes personi nën hetim Lulëzim Basha. Paraqitja kërkohet për të njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit.

Nisur nga sa më sipër, në bazë të nenit 304/1, 308 të Kodit të Procedurës Penale: Vendosëm të ftojmë për t’u paraqitur në prokurori më datë 17.06.2019 ora 09:30 min shtetasin Lulëzim Basha.

Në rast mosparaqitje ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesë të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 308 të K. Pr. Penale, urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”, thuhet në shkresëbn e Prokurorisë.

Rrënjët e pagesave të paligjshme ruse përmes dorës së Bashës

Kompania Biniata Trade me lidhje ruse dyshohet se ka paguar 150 mijë dollarë lobistin që punonte për Partinë Demokratike, të cilin Basha ka deklaruar se nuk e njeh.

Veritas.com.al/