(FOTO: Lulzim Basha në Uashington- Foto Arkiv)/

Nga L. Skiro/

Kryetari i Opozitës, Liulzim Basha gjatë një takimi elektoral në Korçë ka thënë sot se së shpejti “do takohet” me Donald Trump- president i Shteteve të Bashkuara.

Takimi me presidentin e Shteteve të Bashkuara, prej kohësh është kthyer në një bast për krerët e politikës së Shqipërisë.

Për një kohë të gjatë është thënë se ‘me kryeministrin Rama nuk takohet’ Trump për arsye se kryeministri i Shqipërisë ishte i vetmi që bëri propagandë ilegale kundër zgjedhjes së Trump në krye të shtetit. Pastaj zëra nga mediat e kryeministrit thanë se ‘pikërisht për këtë arsye do të takohen,.

Takimi ‘briefly’ në samitin e NATO-s në Bruksel, ku thuhet se ka edhe një foto mes Trump dhe Ramës por që është urdhëruar të mos e publikojë, e plotësoi në njëfarë mënyre dëshirën e zjarrtë të kryeministrit.

Edhe kryetari i LSI, Meta, ka pasur plot dërgata në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë ose rreth saj; por deri më sot nuk ka deklaruar ‘takim me Trump’. Por kjo është më e thjeshtë, sepse Ilir Meta merr së shpejti fronin e Presidentit të Republikës, dhe shanset për takim me presidentin Trump rriten.

Hera e parë që deklarohet publikisht se ‘do të takoj Trump’ është kjo e sotmja, ku Basha deklaron publikisht në Korçë.

Kjo nuk mund të merret si deklaratë elektorale, sepse ka të bëjë me protokolle të larta diplomatike dhe aleanca.

Por lajmi që jep zoti Basha është një lajm shumë i mirë për demokratët. Në qoftë se kjo vizitë do të realizohet, atëherë kjo nënkupton se një opozitë (rast i rrallë) thërritet në Shtëpinë e Bardhë për takim të nivelit shumë të lartë.

Por ndryshe e interpretuan lajmin fshatarët që ndodheshin në miting. Njëri nga fshatarët i tha zotit Basha: “Meqë po shkon te Trump, të lutem tregoji për hallet tona në fshat”.

Veritas.com.al/