Tre kilometër shëtitore, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive është projekti i ri për qytetin bregdetar të Durrësit.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, ku tha se projekti i Lungomares së Durrësit do të jetë me impakt të lartë ekonomik. Punimet pritet të fillojnë në vjeshtë, ndërsa Rama nuk kurseu as batutat ku tha se tashmë durrsakët nuk mund të thonë më se kanë mbetur pas Vlorës.
“Do e bëjmë siç e bëmë në Vlorë, do të bëhet spektakolare e gjitha, edhe me zgjerimin e brezit të rërës edhe me jetën e natës që do zhvillohet , mos të thonë Durrsakët që mbetëm pas Vlorës. Potenciali është i madh, është vlerë e shtuar. Projekti duhet të mbarojë dhe të përgatitet që puna të fillojë në vjeshtë, pas mbarimit të sezonit veror”, tha Rama.
Lungomarja e Durrësit do të fillojë nga ura e Dajlanit dhe do të vazhdojë deri te godina e Kavalishencës, në 3 kilometër vijë bregdetare. Studimi parashikon që të ketë një unifikim në vijë të njëtrajtshme nga fillimi në mbarim, ndërsa shëtitorja do të ketë kënde lojërash për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, hapësira sportive dhe facilitete që lidhen me përdorimin e ambienteve higjieno-sanitare, dhoma zhveshje e dushe. Po ashtu do të ketë edhe një piste për biçikletat në krah të asaj për këmbësorët.