– Sipas regjizorit Muharrem Fejzo- 

Regjisori Muharrem Fejzo përshkruan në librin e tij punën për filmin “Muri i gjallë”, i cili u braktis nga aktorja Matilda Makoçi pa asnjë arsye. Po çfarë shkruan ai për takimin me të, pas braktisjes, takim që rezultoi dhe i fundit me Makoçin-aktore?.

“Xhirimet gjatë atij muaji vazhduan mirë. Ajo rrjedhë e punës sonë u ndërpre në xhirimet që kishim në rrënojat me gurë qiklopikë të Zgërdheshit në Krujë. Po prisnim të vinte nga Tirana, “Gelina” – Matilda Makoçi…

…Ajo persiatje ëndërronjëse u ndërpre nga frenimi i një makine. Në fund të kondrinës u shfaq “Gazi” dhe që andej u ngjit me një frymë Gjergj Xhuvani, i lodhur dhe i djersitur. Duka dihatur më thotë: “Matilda nuk gjendet. Ku nuk e kërkuam!” Ishte një rrjedhë akulli që rrëmbeu gjithë grupin.

Një ditë të diel, në shëtitoren e gjerë të qytetit, takoj Matildën. Dukej tepër e brengosur. Erdhi e ndrojtur, me fytyrë të vrarë nga pagjumësia dhe me fjalët që i mbeteshin në grykë:

– Të më falni, më falni shumë. Nuk arrita dot t’ju njoftoj…| e ndërpreu fjalën e frikësuar se në drejtim të saj po vinte djali i Kristaqit, shokut tim të liceut. Me ngut dhe në lot në sy foli e përshpejtuar:

 

– Do të nisem pre Greqi. Kam një hall të madh…të më kuptoni….” – dhe duke i tërhequr zvarrë fjalët e fundit, me lot në sy, u zhduk e përcjellë nga Edi, i cili në ecje e sipër vazhdonte të na hidhte disa vështrime të ftohta. Kushedi ç’fjalë gatuheshin në shpirtin e saj. Që nga ajo kohë më humbi nga sytë sot e kësaj dite. Punë e tyre.”