Nga Laert Skiro/
Ligjin për Vettingun, që është verifikimi i çdo gjyqtari dhe prokurori në sistemin gjyqësor, e votuan 88 anëtarë të maxhorancës Parlamentare. Opozita u largua nga salla e seancës parlamentare mbasi kuptoi se maxhoranca nuk po e çmonte praninë dhe as votën e saj. Kryetari i Kuvendit, Meta, duke ndërhyrë në mes të punimeve parlamentare tha se “nuk po e kuptoj çfarë kërkon opozita”. Me këtë rast balanca parlamentare u rrëzua kundër opozitës. Parimi i vendosur në votimin e ndryshimeve Kushtetuese për konsensus në gjithë “godinën” e Reformës Drejtësi gjatë procesit të votimit të 22 korrikut, u thye.
Për të krijuar numrin 88 të deputetëve që do të votonin pro Vetting-ut të paraqitur nga maxhoranca, u blenë edhe deputetët e Partisë “Çame”, siç thuhet në zhargon për PDIU. LSI, anëtare e koalicionit që kishte deklaruar se do të votojë “veç në qoftë se arrihet konsensusi”, e theu fjalën e dhënë. I vetmi deputet i ndodhur në sallone punimeve që lëshoi votë abstenuese, ishte kryetari i Partisë “Greke”, ose PDNJ, Vangjel Dule. Prej kohësh është thënë se në të njëjtin koalicion nuk mund të qëdrojnë edhe “grekët” dhe “çamët”.
Ndërsa nga opozita nuk “rrodhi” asnjë votë në favor të ligjit, siç ishte parashikuar nga maxhoranca se do të blinte disa deputetë.
Sipas përllogaritjeve të deritanishme, implementimi i ligjit për Vetingun i kushton buxhetit të shtetit çdo vit rreth 400 milionë euro. Rezultate të tjera nuk njihen, përveç mesazhit të ambasadorit të SHBA, LU, se “tani fillon”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshoi një mesazh për gëzimi duke thënë se falënderon “të gjithë ata që e votuan” ligjin. Ambasada la të nënkuptohet se nuk i përfill ata që nuk e votuan, edhe pse janë deputtetë të Kuvendit. Bie në sy entuziazmi gati i pakontrolluar i ambasadorit të SHB, Donald Lu. Ai, së bashku me ambasadorin e BR, zonjën Vlahutin, edhe ditët e fundit kanë trokitur në të gjitha dyert e administratës politike, me tempestivitetin për të bindur “me çdo kusht” votimin e Vettingut. Pak më parë ata kishin kundërshtuar edhe parimin demokratik të konsensusit dhe vlerësimit të Opozitës, me tezën “mjaft të votohet ligji sido që të votohet”.
(Veritas.com.al)