Ambasada e Republiks së Greqisë në Tiranë ka lëshuar sot një njoftim për mediat:

Me një avion transporti të Aviacionit Luftarak Grek mbërriti sot në aeroportin e Tiranës ndihma humanitare që ofroi Republika e Greqisë për përballimin e pasojave nga tërmetet dhe përmbytjet që goditën së fundmi Shqipërinë.

E gjithë ndihma arrin në total në peshë prej nëntë tonësh dhe përbëhet nga  gjeneratorë, ushqime, ilaçe, krevate portative, batanije dhe materiale të tjera të nevojshme.

Ndihmën humanitare e shoqëroi në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, z. Nikos Hardalias dhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes e mori në dorëzim, Drejtori i Përgjithshëm z. Paulin Luli.

Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, z. Nikos Hardalias, deklaroi se:

«Në emër të qeverisë, të shtetit dhe të popullit grek, ndodhemi sot këtu, në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, në kuadrin e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, për të dorëzuar materialet e ndihmës humanitare në  Shqipërinë mike dhe fqinje. Materiale, të cilat u mblodhën nëpërmjet koordinimit të mirë të Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të kuadrove të Ushtrisë Greke, të Zjarrfikëses dhe të Qendrës Kombëtare të Ndihmës së Shpejtë. Jemi këtu për të përcjellë mesazhe miqësie Shqipërisë fqinje, popullit shqiptar, mesazhe solidariteti, respekti të ndërsjellët dhe mirëkuptimi».

Veritas.com.al