Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maji 2024.

Këto janë shifrat zyrtare të publikuara nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjera nënvizon se kjo shifër e çon shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit, në mbi 3.3 milionë.

38% më shumë turistë të huaj se një vit më parë na vizituan gjatë muajit maj duke e çuar në 3.3 milionë numrin e turistëve që kemi pritur këta pesë muaj e ndërsa piku i sezonit turistik bregdetar afrohet, forcojmë gjithë vëmendjen institucionale dhe shpirtin e mikpritjes për të prezantuar më të mirën e #AlbaniaAllSenses”, shprehet Kumbaro.

Sakaq, Kumbaro është duke vijuar turin e inspektimeve në bashkitë bregdetare me qëllim monitorimin për përmbushjen dhe respektimin e standardeve, të pastërtisë, hapësirave publike dhe sigurisë në turizëm.

Ajo thekson se me afrimin e pikut të sezonit turistik bregdetar është e rëndësishme të shtohet përgjegjësia institucionale dhe vëmendja për të prezantuar më të mirën e ofertës turistike shqiptare.