Një tërmet i fuqishëm ka goditur një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë më shumë se 5,021 njerëz dhe duke lënë nën rrënoja me qindra persona të tjerë. Lëkundjet fatale zgjatën rreth një minutë dhe u ndjenë deri në Qipro, Egjipt dhe Liban.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km pranë Gaziantep. Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.
Të paktën 120 pasgoditje janë regjistruar pas tërmetit të fuqishëm të së hënës në Turqinë jugore. Tre nga pasgoditjet ishin me magnitudë 6.0 ose më shumë, duke përfshirë tërmetin me magnitudë 7.5 që goditi 95 kilometra në veri të epiqendrës së tërmetit kryesor.
11:58: Ndodh mrekullia, nëna dhe foshnja 6-muajshe shpëtohen pas 29 orësh në rrënoja
Një nënë 30-vjeçare dhe foshnja e saj 6-muajshe u shpëtuan 29 orë më vonë nga rrënojat e ndërtesës së shkatërruar në Hatay.
Ekipet e shpëtimit në rrethin Odabashi të provincës Hatay nxorrën të gjallë 30-vjeçaren Hülya Yilmaz dhe vajzën e saj gjashtë muajshe Ayse Vera Yılmaz nga nën rrënojat e ndërtesës pas 29 orësh.
Të shpëtuarit janë shtruar në spital, ndërsa vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit. Si Turqia ashtu edhe Siria po përballen me një katastrofë humanitare në rritje, ndërsa numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese vazhdon të rritet.
Ekipet e kërkim- shpëtimit janë në luftë me kohën për të nxjerrë sa më shumë persona të gjallë nga rrënojat e tërmetit. Edhe pse deri më tani numri i viktima ka kaluar mbi 5 mijë në Turqi dhe Siri, shumë qytetarë janë nxjerrë me shenja jete.
11:49: Tërmeti në Turqi/ Video tronditëse të personave që po luftojnë për të dalë të gjallë nga rrënojat
Momente të paprecedentë po ndodhin dhe po regjistrohen në Turqi dhe Sirinë veriore pas tërmetit të parë vdekjeprurës prej 7.8 Rihter, por edhe të gjitha pasgoditjeve të mëdha që kanë pasuar që nga orët e para të ditës së djeshme.
Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 5 mijë njerëz kanë humbur jetën. Tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë këtë të hënë ka shkaktuar panik të qytetarët. Dëshmitë e personave që përjetuan tërmetin tragjik janë rrëqethëse. Një banor i qytetit turk të Gaziantepit tha se nuk kishte përjetuar një fenonem të tillë në 40 vite të jetës së tij.
11:46: Tërmeti shkaktoi dëme kolosale, xhihadistët sirianë arratisen nga burgu
Të paktën 20 të burgosur në një burg sirian, që bësohet se janë xhihadistë janë arratisur nga burgu pasi tërmeti dëmtoi godinën, shkruan AFP.
Burgu në qytetin Rajo pranë kufirit turk mban rreth 2,000 të burgosur, me rreth 1,300 prej tyre të dyshuar si luftëtarë të ISIS-it, tha një zyrtar në burg. Ai mban gjithashtu luftëtarë nga forcat e udhëhequra nga kurdët.
11:34: Tragjedia në Turqi dhe Siri përmes fotove
Ka disa momente kur për fotografët puna është më e vështirë, të tilla momente janë edhe ato të regjistruara në orët e fundit në Turqi dhe Siri.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në të ftohtë, shi ose borë, ndonjëherë me duar, për të shpëtuar çdo person, si rasti i një fëmije shtatë vjeçar që u nxorr i gjallë nga rrënojat në Hatay (jug), në kufirin me Sirinë, para syve të një gazetari të AFP-së, pas 20 orësh terrori.
Rreth e rrotull ka vdekje dhe dëshpërim. Fëmijët bërtasin “Anne!” do të thotë nënë në turqisht, gra që bërtasin emrin e fëmijës së tyre.
11:03: OBSH: 23 milionë njerëz, përfshirë 1.4 milionë fëmijë janë të rrezikuar nga pasojat e tërmetit
Adelheid Marschang, shefja e emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se rreth 23 milionë njerëz, përfshirë 1.4 milionë fëmijë, ka të ngjarë të preken në të dy vendet pas tërmetit dhe pasgoditjeve të tij që shkatërruan mijëra ndërtesa.
Marschang tha se Turqia kishte një kapacitet të fortë për t’iu përgjigjur krizës, por se nevojat kryesore të paplotësuara në afat të menjëhershëm dhe afatmesëm do të ishin përtej kufirit në Siri, tashmë duke u përballur me një krizë humanitare shumëvjeçare për shkak të luftës civile dhe shpërthimi të kolerës.
“Kjo është një krizë në krye të krizave të shumta në rajonin e prekur, ajo tha në takimin e bordit të organizatës në Gjenevë,” tha ajo. “Në të gjithë Sirinë, nevojat janë më të lartat pas gati 12 vitesh krize të zgjatur, komplekse, ndërsa financimi humanitar vazhdon të shënojë rënie.”
10:45: Kaos në Turqi, pacientët po lihen të vdesin në spitale, të tjerët po vjedhin ushqim nga marketet
Në Turqi vijon të mbizotërojë kaosi pas tërmeteve shkatërruese të së hënës. Pacientët e shtruar në spitalin shtetëror turk po “lihen që të vdesin” pasi stafet mjekësore janë larguar.
Nga ana tjetër, banorët e Antakya-s, pranë kufirit me Sirinë kanë nisur të plaçkitin supermarketet pasi janë lënë pa ushqim, një çati ku të fusin kokën apo ndihmë.
Ekipe vullnetare janë duke përdorur matrapikë dhe mjete të tjera pune në tentativë për të ndihmuar njerëzit e zënë poshtë gërmadhave.
Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi një ditë më parë, Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mijëra të vdekur, një stuhi e të ftohtit me reshje bore, ka futur në kaos Stambollin.
Situatën e përcjell për ABC News, gazetari Arlind Isa, i cili ditën e sotme ka udhëtuar drejt Turqisë për të sjellë situatën në zonat e prekura nga tërmeti, por vështirësitë duket se nisin nga aeroporti.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga aeroporti “Sabiah Gokcen”, ai përcolli situatën në këtë aeoport i përfshirë tashmë në kaos për shkak të anulimit të fluturimeve.
09:59: Tërmeti vdekjeprurës, 4 të arrestuar në Turqi për përhapjen e panikut në rrjete sociale
Policia turke ka arrestuar katër persona për postime “provokative” në rrjetet sociale pas tërmetit 7.8 ballë që goditi Turqinë jugore.
Katër persona u arrestuan pas shpërndarjes së postimeve provokuese që synonin të krijonin frikë dhe panik, tha policia. Policia tha se kishte nisur një hetim më i gjerë në llogaritë e mediave sociale por nuk dha informacion mbi përmbajtjen e postimeve, raporton Agence France-Presse.
Rrjetet sociale turke janë mbushur me postime nga njerëz që ankohen për mungesën e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit në zonën e tyre, veçanërisht në Hatay.
09:53: Tjetër tërmet? Eksperti ngre alarmin: 400 mijë njerëz në Stamboll janë të rrezikuar
Prof. Dr. Naci Görür, anëtari i Akademisë së Shkencave për Tokën në Turqi, i cili më 3 shkurt u shpreh i shqetësuar për rajonin e Kahramanmaraşin pas një tërmeti 4,2 Rihter, tashmë ka ngritur shqetësimin për rajonin e Marmarasë.
09:44: FOTO/ Si duket qendra e qytetit turk, PARA dhe PAS tërmetit shkatërrues
Pas tërmetit të parë me magnitudë 7.7 në Kahramanmaraş, dhjetëra ndërtesa u shembën në rrugën Trabzon në qendër të qytetit. Në fotografitë e bëra para tërmetit, rruga e Trabzonit, një nga vendet më të frekuentuara të qytetit.
Pallatet 7-8 katëshe që kanë qenë ngjitur me njëri-tjetrin janë sheshuar, duke u kthyer në rrënoja.
09:32: Mrekulli/ Një 24-vjeçare shpëtohet pas 27 orësh në rrënoja
Turqia u zgjua sot e shkatërruar pas tërmeteve të forta që shkaktuan mijëra të vdekur dhe të plagosur. Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të kërkuar për të mbijetuar në rrënoja.
Një 24 vjeçare është shpëtuar ditën e sotme pas 27 orësh e bllokuar në rrënojat në Kahramanmaras. Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë ditën e djeshme ka shkuar në 4890.
09:10: Pse Turqia është një zonë me rrezik të lartë sizmik?
Tre tërmete me magnitudë 7.8, 7.6 dhe 6.0 ballë të shkallës Rihter kanë shkatërruar Turqinë dhe Sirinë, ndërsa tërmeti është ndjerë deri në Qipro (456 km larg), Liban (874 km), Izrael (1,381 km) dhe Egjipt (1411 km).
Lëkundjet e tërmetit të parë u ndjenë më 6 shkurt rreth orës 4 të mëngjesit, me epiqendrën e vendosur pranë qytetit të Gaziantep në Turqinë jug-qendrore, ku jetonin më shumë se dy milionë njerëz.
Kjo popullsi përfshin gjithashtu shumë refugjatë sirianë që u larguan nga lufta e furishme civile pas vitit 2011.
09:05: Nuk kanë fund pasgoditjet në Turqi, tjetër tërmet me magnitudë 5.7
Pasgoditjet nuk kanë të ndalur në Turqinë lindore. Edhe pse që nga tërmeti i djeshëm ka pasur më shumë se 100 të tilla, disa prej tyre kanë qenë të konsiderueshme.
Pak minuta më parë ka rënë një tjetër tërmet me magnitudë 5.7, i cili ka futur sërish në panik banorët, por edhe ekipet e kërkim – shpëtimit, pasi duhet të tregojnë akoma më shumë kujdes në zonat ku po punojnë.
Tërmete të përmasave të tilla, ka shumë gjasa që të shkaktojë dëme, sidomos në ato banesa ku dy tërmetet e forta kanë lënë pasoja
08:47: Miliona njerëz të zhvendosur në Siri po përballen me rrezikun e sëmundjeve pas tërmetit
Rreth 5 mijë persona kanë humbur jetën në të dyja anët e kufirit Turqi-Siri kur tërmeti me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Por me mijëra të tjerë të plagosur dhe një numër të panjohur të zhdukurish, ekziston ka frikë se numri i vdekjeve mund të jetë më i lartë. Në Siri, një vend që tashmë po vuan pasojat e luftës civile, shkatërrimi pas tërmetit të së hënës është i përhapur.
08:42: Australia dhe Zelanda e Re premtojnë më shumë se 11 milionë dollarë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë
Udhëheqësit e Australisë dhe Zelandës së Re njoftuan të hënën një total prej 11.5 milionë dollarësh në ndihmë për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Canberra të martën, kryeministri australian Anthony Albanese tha se vendi do të sigurojë një ndihmë fillestare prej 10 milionë dollarësh humanitare përmes Kryqit të Kuq, Gjysmëhënës së Kuqe dhe agjencive humanitare.
Kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins, i cili është në vizitën e tij të parë shtetërore në Australi, tha se Wellington do të kontribuojë me 1.5 milionë dollarë.
08:38: Ekspertët: Tërmeti në Turqi ishte sa 130 bomba atomike
Një artikull i gazetës turke pro-qeveritare Yeni Safak flet për një tërmet me madhësinë e ” 130 bombave atomike ” , duke paraqitur opinione ekspertësh mbi tërmetin vdekjeprurës që godit vendin dhe Sirinë veriore.
Gjeologu dhe akademiku turk Dr. Okan Tugsuz pohoi se tërmeti i së hënës ishte rezultat i një akumulimi energjie “me madhësinë e 130 bombave atomike”.
“Tërmeti Kahramanmara ishte i madh dhe i barabartë me 130 bomba atomike. Duket se ka qenë shkatërrues në një zonë shumë të madhe, të paktën 300 km në diametër dhe u ndje në një zonë të madhe nga Batumi në Egjipt dhe Qipro. Hera e fundit që kemi qenë dëshmitarë të një tërmeti të kësaj magnitude ishte më 17 gusht 1999.
08:33: Rreth 5 mijë të vdekur nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri
Të paktën 4,890 viktima janë konfirmuar tani në Turqi dhe Siri pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë që tronditi rajonin herët të hënën.
Numri i të vdekurve në Turqi ka shkuar në të paktën 3,381 që nga rreth orës 9:45 të mëngjesit me orën lokale të martën, tha Orhan Tatar, një zyrtar i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, në një konferencë televizive.
Të paktën 20,426 të plagosur janë raportuar gjithashtu, sipas Tatar. Deri më tani, 11,000 ndërtesa janë raportuar të dëmtuara në Turqi, tha ai.
08:29: Në Turqi dhe Siri, punonjësit e shpëtimit në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar
Një përpjekje masive ndërkombëtare e shpëtimit është duke u zhvilluar në Turqi dhe Siri për të gjetyr viktimat e bllokuara brenda rrënojave ndërsa të mbijetuarit kaluan natën e tyre të parë në kushte të vështira pranë rrënojave.
Numri i të vdekurve vazhdon të rritet më shumë se 24 orë pas tërmetit.
07:32: Mrekulli pas 26 orësh/ Dy fëmijë shpëtohen nga rrënojat e tërmetit në Turqi
Tërmeti në zonën juglindore të Turqisë solli shkatërrim masiv, sidomos në qendër të Hatajit.
Ndërkohë që po vazhdonin kërkimet në ndërtesat e shkatërruara në të gjithë qytetin, dy fëmijë të vegjël janë shpëtuar nga rrënojat pas 26 orësh.
07:22: Shkon në 4,300 numri i viktimave në Turqi e Siri, 65 vende të botës kanë dërguar ndihma
Operacioni masiv i kërkim-shpëtimit që vazhdoi gjatë natës në Turqi, pritet që nga mëngjesi i sotëm të rrisë kapacitetet dhe shpejtësinë.
Numri i viktimave i konfirmuar ka shkuar në më shumë se 4.300, por pritet të ketë rritje në vijim.
Agjencia turke e urgjencës AFAD, thotë se më shumë se 2600 personel nga 65 vende të botës janë dërguar në zonën e fatkeqësive.
Në total janë dorëzuar 300,000 batanije dhe më shumë se 41,000 tenda familjare.
07/02/2023
23:52: FOTO/ Tërmeti në Turqi, banorët kalojnë natën jashtë, ndezin zjarre për t’u ngrohur
Turqia dhe Siria po jetojnë kohë dramatike pas tërmetit shkatërrues të mëngjesit të së hënës. Tashmë numri i personave të vdekur ka kaluar 3.500 dhe mijëra të tjerë janë plagosur. Ndërsa errësira bie, ankthi rritet për mijëra njerëz që mbeten të bllokuar në ndërtesat e shembura.
Për shkak të motit të ftohtë, puna e shpëtimtarëve bëhet edhe më e vështirë. Ndërsa punonjësit e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, mijëra të tjerë kërkojnë strehim pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan ose u dëmtuan shumë keq për të qenë të sigurt.
22:31: Rëndohet bilanci, mbi 3500 të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri, mijëra të plagosur
Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues i mëngjesit të së hënës në Turqi dhe Siri është rritur në 3,554. Nga totali, 2,316 e personave që kanë humbur jetën janë në Turqi. Ndërkohë, rreth 700 vdiqën në Sirinë e kontrolluar nga rebelët dhe 538 në Sirinë e kontrolluar nga qeveria.
22:02: Siri/ Të mbijetuarit e tërmetit në qiell të hapur, po flenë nëpër rrugë në të ftohtë
Kushtet në veriperëndim të Sirisë janë të tmerrshme pas tërmetit shkatërrues të së hënës. Më shumë se një mijë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur. Dëshmitarët okularë kanë thënë për CNN se shumë të mbijetuar po flenë jashtë nëpër rrugë në të ftohtë.
21:33: Tërmeti sjell krizë të re në Sirinë e shkatërruar nga lufta
Siria është tronditur nga forca e fuqishme e natyrës në një kohë kur ky vend është tashmë i shkatërruar, i rraskapitur nga më shumë se një dekadë lufte, i ndarë në qeveri dhe zona të kontrolluara nga rebelët. Një nga rajonet më të prekura është Idlibi, e kontrolluar nga opozita në veri, përgjatë kufirit turk.
Edhe para kësaj fatkeqësie, ishte një nga pjesët më të vështira të botës për agjensitë e ndihmës: ka vetëm një vendkalim të vogël, përmes Bab al-Hawa, në kufirin turk. Është i vetmi litar shpëtimi i lejuar nga qeveria siriane, e cila kontrollon pjesën më të madhe të vendit, dhe aleati i saj rus.
20:59: Rritet bilanci, 3 000 të vdekur nga tërmeti në kufirin Turqi-Siri
Ka shkuar në 3 000 numri i personave që kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri si pasojë e tërmetit. Prej tyre, 1762 viktima janë raportuar në Turqi. Mbi 700 njerëz mendohet të jenë vrarë në Sirinë e kontrolluar nga opozita, ndërsa 538 të tjerë u vranë në pjesët e kontrolluara nga qeveria të vendit.
20:55: Tërmeti në Turqi, OBSH: Numri i viktimave mund të 8-fishohet
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Turqinë juglindore, afër kufirit të Sirisë, mund të 8-fishohet, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë. Numri, i cili aktualisht është në më shumë se 2,700 njerëz, është rritur me shpejtësi që nga tërmeti i parë që goditi herët në mëngjesin e së hënës.
20:40: VIDEO/ Gruaja siriane sjell në jetë fëmijën nën rrënojat e tërmetit, ndërron jetë më pas
Një moment sa i rëndë po ashtu prekës është shënuar në Aleppo të Sirisë. Një grua siriane, e ndodhur nën rrënojat e tërmetit, ka sjellë në jetë fëmijën e saj. Fatkeqësisht gruaja nuk ka arritur të mbijetojë por në rrjete sociale është publikuar momenti kur arrihet të shpëtohet fëmija i porsalindur.
20:18: Tërmeti me 2700 viktima dhe mijëra të plagosur, si i është përgjigjur bota Turqisë dhe Sirisë
Shumë vende kanë nxituar të dërgojnë ndihma, personel dhe pajisje për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Mëngjesin e së hënës, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi të dy vendet, me një pasgoditje me magnitudë 7.5 disa orë më vonë.
CNN raporton se numri i viktimave ka shkuar në 2.700 ndërsa mbi 13 mijë janë plagosur në të dy vendet. 1651 viktima janë konfirmuar në Turqi ndërsa 1050 në Siri. Të paktën 11,119 persona janë plagosur në Turqi dhe 2,453 janë plagosur në Siri pas tërmetit të fuqishëm.
19:08: Tërmeti në Turqi, Erdogan shpall shtatë ditë zie kombëtare
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shpalli shtatë ditë zie kombëtare për shkak të tërmetit të fuqishëm që u mori jetën 1651 personave dhe plagosi mijëra të tjerë. Nëpërmjet një postimi në Twitter, lideri turk ka shkruar se flamuri turk do të ngrihet në gjysmështizë.
“Për shkak të tërmeteve që ndodhën në vendin tonë më 6 shkurt 2023, është shpallur zie kombëtare për shtatë ditë. Flamuri ynë do të ngrihet në gjysmështizë ditën e diel më 12 shkurt 2023 në të gjithë vendin dhe në zyrat tona përfaqësuese të huaja”, shkruan Erdogan.
18:42: Tërmeti, Mitsotakis telefonon Erdogan: Jemi të gatshëm për t’ju ndihmuar
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë komunikimit, Kryeministri shprehu dhimbjen për tërmetin shkatërrues në Turqi dhe i përcolli zotit Erdogan mbështetjen dhe ngushëllimet e qeverisë dhe popullit grek për humbjen e jetëve njerëzore.
18:39: HARTA/ Tërmeti me mbi 2500 viktima, pasgoditjet që janë shënuar në të gjithë Turqinë Jugore
Pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8 të kësaj të hëne që goditi Turqinë Juglindore, janë regjistruar dhjetëra pasgoditje në orët në vijim që kanë shkaktuar panik te qytetarët. Harta e mëposhtme tregon fuqinë e pasgoditjeve si dhe vendondodhjen e tyre në lidhje me epiqendrat e lëkundjeve.
Siç mund të shihet, një numër i goditjeve kishin një magnitudë afërsisht 6 ballë, që normalisht do të ishte një tërmet i konsiderueshëm më vete. Lëkundja më e fundit u regjistrua pak minuta më parë në qytetin turk Konya. Sipas të dhënave paraprake, magnituda ishte 5.5 e shkallës Rihter.
18:37: Tërmeti shkatërrues, mbi 2500 të vdekur në Turqi dhe Siri
Numri i të vdekurve është rritur në të paktën 2,509 pas tërmetit të fuqishëm 7.8 ballë me epiqendër në Turqinë jugore. Shumica e të vrarëve janë në Turqi, ku u raportuan 1651 viktima. 928 të tjerë u konfirmuan në Siri – 538 në pjesët e kontrolluara nga qeveria e vendit dhe 390 gjetkë.
18:23: Pse tërmeti në kufirin Turqi-Siri ishte kaq vdekjeprurës?
Ekspertët thonë se kanë ndikuar disa faktorë. “Një nga arsyet pse numri i viktimave ka qenë kaq i lartë është cilësia e dobët e ndërtesave,” tha për Al Jazeera Mustafa Erdik, Observatorin Kandilli të Universitetit Bogazici dhe Institutin e Kërkimeve të Tërmeteve në Stamboll.
Strategjia Kombëtare e Turqisë për Tërmetet dhe Plani i Veprimit për 2012-2023 theksoi se si migrimi masiv dhe i shpejtë gjatë viteve 1950 çoi në një zhvillim urban të mbikëqyrur dobët, duke i bërë qytetet “lehtësisht të prekshme” ndaj rreziqeve natyrore, shkruan abcnews.al.
18:00: Tërmeti nuk “kursen” as futbollin, portieri turk gjendet i pajetë nën rrënoja
Tërmetit të fuqishëm që tronditi Turqinë Juglindore nuk i ka shpëtuar as bota e sportit. Portieri i skuadrës së Yeni Malatyaspor, Ahmet Eyup Turkaslan është gjendur i pajetë nën rrënojat e pallatit ku jetonte.
17:50: Vijon paniku në Turqi, një tjetër lëkundje e fortë shënohet në vend
Vijojnë pasgoditjet në Turqi pas tërmetit shkatërrues të mëngjesit të së hënës. Vetëm pak minuta më para është shënuar një tjetër lëkundje 5.5 ballë e shkallës Rihter. Epiqendra ka qenë në qytetin Konya. Rreth 1500 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Turqi dhe më shumë se 800 në Sirinë fqinje.
17:15: Tërmeti me mbi 2300 viktima, Turqia raporton për të paktën 120 pasgoditje
Të paktën 120 pasgoditje janë regjistruar pas tërmetit të fuqishëm të së hënës në Turqinë jugore, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD). Tre nga pasgoditjet ishin me magnitudë 6.0 ose më shumë, duke përfshirë tërmetin me magnitudë 7.5 që goditi 95 kilometra në veri të epiqendrës së tërmetit kryesor.
Qeveria shqiptare i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme. Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 88 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 9 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.
Një video emocionuese e transmetuar nga televizoni turk A Haber tregon bisedën mes ekipit të kërkim-shpëtimit në qytetin Adana të Turqisë dhe një fëmije, i cili u nxorr nga rrënojat i plagosur.
14:29: Siria e shkatërruar nga tërmeti, i vjen në ndihmë si kurrë më parë Izraeli
Izraeli do të dërgojë trupa në Siri, duke shënuar ndihmën e parë zyrtarisht mes dy shteteve. Duke folur në një konferencë për shtyp, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se një kërkesë ishte bërë nga regjimi i Asadit.
Turqia është një zonë sizmike, ndërsa është rritur frika se mund të ketë termete të tjera. Kujtojmë se tërmeti 7.7 ballë i mëngjesit të sotëm u pasua nga një tjetër i fuqishëm me magnitudë 7.5 ballë.
Pllaka besohet se ka lëvizur për të paktën 150 kilometra me një zhvendosje edhe më shumë se tre metra. Gjithçka ndodhi në pak sekonda, duke shkaktuar një tërmet me magnitudë 7,8,-7,9 ballë.
13:43: Tërmeti i fuqishëm që vrau mbi 1500 persona në Turqi e Siri u ndje deri në Grenlandë
Tërmeti i fuqishëm 7.8 Rihter që goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit u regjistrua edhe në Grenlandë. Tërmetet e mëdha në Turqi janë regjistruar qartë në sizmografët në Danimarkë dhe Grenlandë ,” i tha AFP sizmologu Tine Larsen.
Tërmeti rrafshoi lagje të tëra ndërsa shumica e njerëzve ishin duke fjetur. Tërmeti zgjati një minutë. Tërmeti është ndjerë edhe në Qipro, Egjipt dhe Liban.
13:22: Vazhdojnë pasgoditjet e forta të tërmetit në Turqi, i radhës 5.5 ballë
Paslëkundjet e tërmetit vazhdojnë në Turqi në zonën juglindore, aty ku dy tërmetet fillimisht 7.8 dhe më pas 7.7 kanë shkaktuar një katastrofë.
Vetëm pak minuta më parë nbë Sakarya, u ndjen lëkundjet e një tërmeti me magnitudë 5.5.
13:01: E frikshme/ Ja zhurma që shkaktoi tërmeti 7.7 ballë në Turqi
Pak minuta më parë një tjetër tërmet shkatërrues goditi juglindjen e Turqisë me epiqendër këtë herë në qytetin e Kahramanmaras.
Mediat turke kanë bërë publik zhurmën e frikshme që shkaktoi tërmeti.
Dëgjoni KËTU zhurmën e tërmetit.
12:03: NATO, BE dhe më shumë se 40 vende i ofrojnë ndihmë Turqisë pas tërmetit vdekjeprurës
Qeveria turke ka marrë ndihma nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Bashkimi Europian dhe 45 vende pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë jugore herët të hënën.
Lajmin e bëri të ditur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një fjalim televiziv të hënën, duke shtuar se të paktën 912 persona kanë vdekur në vend pas tërmetit me magnitudë 7.8 ballë.
5,385 persona të tjerë janë plagosur dhe më shumë se 2,400 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Udhëheqësi turk tha se rreth 2,818 ndërtesa të shkatërruara.
11:41: Turqia nuk gjen qetësi, përsëriten lëkundjet e orëve të para të mëngjesit
Turqia nuk po gjen qetësi sa i përket lëkundjeve të tërmetit. Pas atij të orëve të para të mëngjesit me magnitudë 7.8 që shkaktoi dëme kolosale, ka pasur mbi 60 pasgoditje, të cilat duket se po vinin në rënie dhe po normalizonin situatën.
Vetëm pak minuta më parë, zona juglindore është lëkundur sërish ashtu si në orët e para të mëngjesit pasi ka rënë një tjetër tërmet me magnitudë 7.77 me epiqendër në qytetin e Kahramanmaraşit.
Kështu situata bëhet edhe më e vështirë dhe paparashikueshme për orët në vijim.
11:38: Tërmeti i fuqishëm në Turqi, Scholz: Jemi pranë popullit turk!
Kancelari Olaf Solz shprehu dhimbjen e tij për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri dhe u zotua të dërgojë ndihma në zonat e prekura.
“Numri i të vdekurve është ende në rritje. U shprehim ngushëllime të afërtme dhe lutemi për personat e bllokuar në rrënoja. Ne do të dërgojmë ndihmë, tha kancelari gjerman në një mesazh në Twitter.
11:28: Tre ditë më parë, si eksperti holandez parashikoi tërmetin në mënyrë të frikshme në Turqi
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore këtë të hënë, i cili rrëzoi shumë ndërtesa dhe i mori jetën 912 personave.
Tërmeti, i ndjerë deri në Kajro, u përqendrua në veri të qytetit të Gaziantep, rreth 90 kilometra (60 milje) nga kufiri sirian.
Sipas Google Maps, Gaziantep ndodhet afërsisht 11 orë larg rajonit të Detit Egje dhe 12 orë nga Marmara, ku një tërmet masiv u parashikua në dhjetor 2022 nga një ekspert tërmetesh.
11:20: Bilanc lufte nga tërmeti në Turqi, shkon mbi 1000 numri i viktimave
Rritet me ritme të frikshme numri i viktimave si pasojë e tërmetit shkatërrues në juglindje në Turqisë dhe veriun e Sirisë.Raportohet se numri i viktimave tanimë i ka kaluar 1000, ndërsa të plagosur janë rreth 3 mijë deri më tani.
Ky numër për fat të keq pritet të rritet në orët në vazhdim, ndërsa po ashtu më shumë se 1000 banesa janë shkatërruar.
11:15: Ndodh mrekullia, 4 fëmijë nxirren të gjallë nga rrënojat e një pallati në Turqi
Pamjet dramatike të shpëtimit të katër fëmijëve nga rrënojat e një ndërtese apartamentesh në Hatay, Turqinë juglindore pas tërmetit vdekjeprurës 7.8 ballë po bëjnë xhiron e rrjetit.
Tërmeti vdekjeprurës me më shumë se 670 të vdekur në Turqi dhe Siri, goditi dhjetë qytete në rajonin Kahramanmara të Turqisë, përfshirë Hatajin, ku shumë ndërtesa u shembën, por një familje pati fat.
10:48: Tërmeti vdekjeprurës/ Deputeti turk: Dy vëllezërit, motra ime dhe fëmijët e tyre janë nën rrënoja
Fatkeqësia e tërmetit që tronditi Turqinë shkaktoi shkatërrime të mëdha edhe në Hataj. Deputeti i Partisë AK në Hatay, Hüseyin Yayman tha se dy vëllezërit dhe motra e tij më e madhe ishin nën rrënoja, sipas mediave turke.
“Fatkeqësisht, tërmeti dhe fatkeqësia që ndodhi është e madhe. Zoti e ndihmoftë kombin tonë. Dy vëllezërit dhe motra e mia janë ende nën rrënoja dhe ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion prej tyre.
Jemi në Hataj dhe nuk mund t’i arrijmë. Presim lajme të mira edhe nga të gjithë bashkatdhetarët e mi.
10:42: Rritet numri i viktimave, rreth 700 të vdekur nga tërmeti vdekjeprurës
Të paktën 670 persona janë raportuar të vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit të madh të së hënës me magnitudë 7.8 ballë. Në Siri, raportohet për 386 viktima duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Alepos, Hama, Latakia dhe Tartus.
Grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 147 viktima në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë.
Qindra njerëz të tjerë u plagosën gjithashtu pas tërmetit, me 648 të plagosur në Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus. 340 të tjerë u raportuan gjithashtu në zonat e kontrolluara nga opozita, shtuan Helmetat e Bardha.
10:37: Elon Musk bën një ofertë për Turqinë pas tërmetit tragjik, qeveria e refuzon
Qeveria turke ka refuzuar propozimin e Elon Musk për të dërguar shërbimin satelitor në Turqi pas tërmetit të fortë.
Musk tha në Twitter se një nga kompanitë e tij, Space Exploration Technologies Corp., mund të sigurojë rrjetin Starlink, plejada e satelitëve me orbita të ulëta, sapo qeveria turke të japë miratimin.
10:29: VIDEO/Momenti kur një fëmijë shpëtohet nga rrënojat e tërmetit
Turqia dhe Siria po jetojnë një tragjedi të paimagjinueshme pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 Rihter që goditit vendet në orët e para të mëngjesit. Mbi 500 viktima janë raportuar deri më tani dhe mijëra të plagosur.
Ndërkohë mediat dhe rrjetet sociale janë mbushur me pamje nga tërmeti vdekjeprurës. Së fundmi Reuters ka postuar një video, ku ekipet e shpëtimit nxjerrin nga rrënojat një fëmijë.
10:25 Shqipëria solidarizohet me Turqinë/ Ekip shpëtimi drejt zonave të prekura
Shqipëria do të dërgojë një ekip shpëtimi drejt zonave të prekura nga tërmeti tragjik në Turqi. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i qeverisë Edi Rama, përmes një postimi në twitter, ku shpreh ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti I fuqishëm në Turqi “I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi” -shkruan Rama.
10:04: Turqia e tronditur nga tërmeti, pezullohen organizatat kombëtare sportive
Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Muharrem Kasapoglu ka njoftuar se të gjitha organizatat kombëtare sportive janë pezulluar deri në një deklaratë të dytë pas tërmetit shkatërrues që preku vendin.
Tërmeti me epiqendër në juglindje të Turqisë dhe në veri të Sirisë ishte më i fortë në 100 vitet e fundit me magnitudë 7.8.
Legjenda e portës së Turqisë dhe klubit Fenerbahce, trajneri aktual i klubit turk Hatayspor, Volkan Demirel, ka kërkuar ndihmë mes lotëve në një video live në rrjetin e tij social.
Volkan Demirel, i cili është trajneri i Hatayspor, nuk ka mundur t’i kontrollojë lotët pas shkatërrimit në qytet dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Ai ka bërë thirrje që të gjithë të ndihmojnë me aq sa munden pas kësaj katastrofe natyrore.
09:49: Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shembet kalaja shekullore në Gaziantep
Kalaja e Gaziantepit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Turqi, është shembur pas tërmetit të fuqishëm dhe pasgoditjeve që tronditën jugun e vendit mëngjesin e të hënës.
“Disa nga bastionet në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti”, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu”.
Sipas gërmimeve arkeologjike, kalaja u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt II-IV pas Krishtit dhe u zgjerua me kalimin e kohës.
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore herët të hënën mund të arrijë deri në 10,000 persona, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), shkruan CNN.
Sipas vlerësimeve të saj, USGS tha se ka një shans 47% që numri i viktimave të arrijë midis 1,000 dhe 10,000 njerëz, ndërsa ka një shans 27% që të arrijë midis 100 dhe 1,000 dhe një shans 20% që të arrijë midis 10,000 dhe 100,000.
Vlerësimet e USGS-së vijnë nga modelimi i bazuar në tërmetet historike në rajon, popullsia e ekspozuar ndaj lëkundjeve më të rënda dhe cenueshmëria e strukturave në zonat më të goditura.
09:27: Tërmeti në Turqi/ Deri më tani mbi 40 pasgoditje, ja çfarë paralajmërohet për ditët në vazhdim
Pasgoditjet e tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri mund të zgjasin për ditë edhe javë, ka paralajmëruar një inxhinier kërkimi dhe shpëtimi. Duke folur për Sky News, Mark Scorer tha se shtatë ditët e ardhshme do të jenë “kritike për gjetjen e jetëve nën rrënoja”.
Ai shtoi se ekipet do të duhet të jenë të vetëdijshëm për goditjet pasgoditëse në çdo moment, pasi do të ketë edhe të tjera shembje banesash.
Kushtet e këqija atmosferike kanë të ngjarë të pengojnë përpjekjet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes pas tërmetit shkatërrues në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore. Temperaturat janë nën zero dhe në vazhdim pritet të ketë reshje shiu dhe dëbore në provincën e Gaziantep të Turqisë.
Pavarësisht kushteve, zyrtarët u kanë kërkuar banorëve të lënë banesat e tyre, pasi pritet pasgoditje të tjera.
09:14: Liderët botërorë shprehin ngushëllimet dhe ofrojnë ndihmë pas tërmetit vdekjeprurës në Turqi
Mesazhet e ngushëllimit dhe të mbështetjes ishin të shumta teksa liderët botërorë u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në Twitter dhe ofroi ndihmë.
“Ne jemi me popullin e Turqisë në këtë kohë të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e fatkeqësisë,” tha Zelensky.
Në një mesazh po ashtu në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte “i shqetësuar nga numri i viktimave dhe dëmtimi i pronës” nga tërmeti.
09:09: Tërmeti në Turqi, Erdogan: Jemi pranë qytetarëve!
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka reaguar pas tërmetit që goditi vendin dhe shkaktoi shumë dëme dhe qindra të vdekur.
Presidenti shprehu solidaritetin e tij me të prekurit nga tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter që tronditi Turqinë. Ai premtoi se do të vërë në dispozicion të gjitha mjetet për kërkimin e të mbijetuarve nën rrënoja.
“Me të gjitha mjetet e shtetit tonë jemi në krah të qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Ne kemi ndërmarrë hapa për të nisur punën e nevojshme në rajon me të gjitha institucionet dhe ministrat tanë, tha Erdogan në Twitter.
09:02: VIDEO/ Shkaktoi dëme kolosale, momenti kur Turqia goditet nga tërmeti
Turqia është zgjuar e tronditur mëngjesin e sotëm, pasi një juglindje të vendit është regjistruar tërmeti më i fuqishëm në 100 vitet e fundit.
Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë u ndje në gjysmën e Turqisë, ndërsa dëmet në njerëz dhe infrastrukturë janë kolosale.
08:53: Tërmeti me mbi 500 të vdekur, ekipe shpëtimi nga Holanda dhe Rumania drejt Turqisë
Ekipet e shpëtimit nga Holanda dhe Rumania janë tashmë në rrugën drejt Turqisë për të dërguar ndihma pas tërmetit shkatërrues, tha të hënën komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave.
“Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së po koordinon vendosjen e ekipeve të shpëtimit nga Europa”, njoftoi Janez Lenarcic në Tëitter.
“Ekipet nga Holanda dhe Rumania janë tashmë në rrugën e tyre,” shtoi ai, duke shprehur solidaritetin me Turqinë “në prag të tërmetit shkatërrues”.
08:46: FOTO/ Pamje rrëqethëse nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi
Dalin pamjet rrëqethëse pas tërmetit me magnitudë 7.8 Rihter që goditi rajonin juglindor të Turqisë dhe disa provinca në Siri në orët e para të mëngjesit.
Pallate të shkatërruara, njerëz të gjakosur dhe ekipe shpëtimi në punë, janë imazhet tronditëse që vijnë nga Turqia në këto momente kur raportohen mbi 500 viktima dhe qindra të lënduar.
08:34: Shkon mbi 500 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi, mbi 2000 të plagosur
Më shumë se 500 njerëz janë vrarë në dy vende, Turqi dhe Siri pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore herët të hënën. Të paktën 284 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,300 janë plagosur në Turqi, sipas nënpresidentit të vendit Fuat Oktay.
Në Siri, të paktën 237 njerëz u vranë dhe 639 u plagosën, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
08:24: VIDEO/ Lëkundjet e forta të tërmetit në Turqi, ndahet në mes pista e aeroportit
Në Hatay, një nga provincat e prekura nga tërmeti me magnitudë 7.8, është dëmtuar pista e aeroportit. Në pamje duket çarje dhe ngritje e asfaltit.
Si pasojë e tërmetit deri më tani raportohet për mbi 300 viktima, në Turqi dhe Siri.
08:14: Tërmeti në Turqi, Zelensky: Ukraina e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij ishte i gatshëm të ofronte ndihmën e nevojshme për popullin turk pas tërmetit që goditi vendin të hënën.
“I tronditur nga lajmi për vdekjen dhe plagosjen e qindra personave si pasojë e tërmetit në Turqi. I shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe i urojmë të lënduarve shërim të shpejtë.
Ne jemi në këtë moment pranë popullit mik turk, të gatshëm për të ofruar ndihmën e nevojshme,” tha Zelensky në një mesazh në Twitter.
08:07: Tërmeti në Turqi/ Rritet numri i viktimave, lëshohet alarmi për ndihmë urgjente ndërkombëtare
Është rritur numri i vikamave si pasojë e tërmetit shkatërrues në zonën juglindore të Turqisë, që ka prekur edhe veriun e Sirisë. Deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 300 persona, dhe shumë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Tërmeti ishte më i fuqishme i shekullit të fundit, duke kaluar edhe atë të vitit 1999 në Marmara, 7.4 Rihter, ndërsa i sotme ishte 7.8 Rihter.
07:38: Një 1999-të e dytë? Çfarë solli tërmeti shkatërrues 24 vite më parë në Turqi
Turqia ditën e sotme është zgjuar e tronditur pasi në njëjuglindje të vendit, një tërmet me magnitudë 7.8, ka sjellë dëme kolosale në njerëz, ku deri më tani raportohet për mbi 200 të vdekur dhe rreth 1000 të plagosur.
Po ashtu janë kthyer në rrënoja banesa, pallate e qendra tregtare.
Tërmeti mësohet se ka zgjatur rreth 45 sekonda dhe në Turqi një tërmet sinonim ka ndodhur edhe 24 vite më parë, i cili mori 17 mijë jetë njerëzish.
07:25: VIDEO/ Mbi 1000 të plagosur dhe qindra të vdekur, çfarë ka lënë pas tërmeti i fuqishëm në Turqi
Turqia dhe jo vetëm është ngritur e tronditur mëngjesin e sotëm pasi një tërmet i fuqishëm 7.8 Rihter ka goditur Turqinë juglindore duke shkaktuar qindra të vdekur dhe mbi 1000 të plagosur.
Tërmeti e ka pasur epiqendrën në qytetin Gaziantep, por është ndjerë në shumë zona përreth si edhe Siri ku ka shkaktuar edhe viktima.