Sot, në orën 10:00, ka nisur punimet seanca e radhës e Kuvendit të Shqipërisë.
Pika kryesore e rendit të ditës do të jetë plotësimi i anëtarësisë së komisioneve të përhershme parlamentare, me deputetët nga të gjitha palët, pjesë e parlamentit.
Pikërisht mbi përbërjen e këtyre anëtarësive, gjatë seancës së parë, ka pasur edhe një diskutim ndërmjet pozitës dhe opozitës, ku sipas pretendimeve të shumicës, Partia Demokratike kishte vendosur të njëjtin deputet në më shumë se një komision.
Një ftesë është bërë për demokratët që një deputet të mos jetë pjesë e më shumë se një komisioni.
Ndërkaq, në seancën e parë plenare, u zgjodhën edhe krerët e komisioneve, ku dy do të jenë nga radhët e opozitës.
Kush do t’i drejtojë Komisionet Parlamentare?
Nga maxhoranca, e cila përbëhet nga PS-ja, Nasip Naço është propozuar si kryetar i Komisionit të Sigurisë.
Klotilda Ferhati, kryetare e Komisionit të Ligjeve. Mimi Kodheli do të jetë kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Eduart Shalsi do të kryesojë Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Arben Pëllumbi, Komision e Veprimtarisë Prodhuese. Ndërsa Klotilda Spahiu do të jetë nënkryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Petro Koçi do të jetë nënkryetar i Komisionit të Mediave. Ndërsa, Etilda Gjonaj do të jetë nënkryetare e Komisionit të Integrimit Evropian.
Ndërkaq, nga opozita, kryetare e Komisionit për Integrimin Evropian do të jetë Jorida Tabaku.
Albana Vokshi do të jetë në krye të Komisionit për Shëndetësinë. Ndërsa kreu i Komisionit për Edukimin dhe Median do të jetë Agron Gjekmarkaj.
Rendet e tjera të ditës
Seanca plenare e kësaj dite është e ndërtuar në gjashtë pjesë.
Në rendin e radhës do të shqyrtohet draftprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 27 shtator 2021 – 5 nëntor 2021.
Nga ana tjetër, në rend dite do të jetë shqyrtimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 27 shtator 2021 – 15 tetor 2021.
Zyrtarisht Legjislatura e X-të ka nisur punë më 10 shtator, datë që përkon me dekretimin e saj nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.