Një seri përgjimesh janë  publikuar sot nga gazeta gjermane Bild, mes Astrit Avdylajt, kreut të grupit të Shijakut,  kryebashkiakut aktual të Durrësit, Vangjush Dako si dhe eksponentëve të tjerë socialistë.

Bisedat janë zhvilluar gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në vitin 2017.

Në përgjime hidhet dritë mbi rolin e një grupi kriminal të mirëorganizuar për blerjen e votës në Qarkun e Durrësit.

Gjithçka është dokumentuar në dosjet 339 dhe 399/1, të cilat janë kthyer edhe në retorikë politike.

Sipas përgjimeve, Astrit Avdylaj së bashku me grupin e tij kanë bërë të mundur fitoren e PS në Durrës dhe në Shijak.

Nga bisedat telefonike rezulton se Astrit Avdylaj me grupin e tij, kanë ndikuar për vendosjen e kandidatëve për deputetë në listën e PS, madje dhe duke i bërë presion njerëzve të caktuar siç është Drejtori i Ujësjellësit në Shijak, Ivi Doçi.

Hetimet për këtë rast kanë nisur që në vitin 2016 nga ish-kreu i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, i cili pasi u transferua në Pogradec në shtator të vitit të kaluar dorëzoi dosjet në fjalë.

Asnjëherë nuk u mor vesh se përse ky prokuror, nuk bëri asnjë veprim tjetër hetimor përveçse përgjimeve dhe asnjëherë nuk u mor vesh, të paktën zyrtarisht se kush i nxori përgjimet në tregun mediatik.

Nën zë flitet për emra të caktuar që kanë nxjerrë disqet e përgjimeve dhe më pas i kanë montuar në zyrat e kreut të PD -së Lulzim Basha, derisa përfunduan në redaksinë e gazetës gjermane Bild.

Duket se edhe Hajdarmataj, si mjaft kolegë të tij ka mediat dhe gazetarët e tij të preferuar, sidomos kur është fjala për t’iu dhënë informacione. Por ai harron se paguhet me taksat tona me taksat e qytetarëve që duan të dinë se përse ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim?

CNA.al  e ka kontaktuar prokurorin Hajdarmataj që me datë 27 Maj 2019, ku  i janë dërguar disa pyetje,  por ai nuk ka denjuar të përgjigjet me justifikimin që është i zënë dhe se nuk mund të flas për dosje që nuk i ka në duar.

Madje ai nuk ka reaguar as pas akuzave të rënda të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku se ka zvarritur hetimet për dosjet hetimore 339 dhe 339/1 dhe se është i ndikuar nga politika.

Më poshtë po sjellim pyetjet që CNA.al i ka drejtuar prokurorit Besim Hajdarmata në lidhje me dosjet hetimore 399 dhe 339/.

1.Ju jeni prokurori që keni nisur hetimet për dosjen 339. A u nisën këto hetime me përgjime që dërgoi EULEX-i, apo hetimet nisën bazuar në indicje të tjera. D.m.th, a kishit ju indicie për vjedhje votash kur kërkuat përgjime për këtë çështje?

2.Ju i dinit personat që janë nën hetim,  pse nuk i thirrët asnjëherë?

3.A janë zvarritur dosjet 339 dhe 339/1 nga ju siç deklaroi para pak ditësh zonja Marku? Ne çfarë faze i keni lënë ju hetimet, në momentin që u transferuat?

  1. Zonja Marku pretendon se jeni ndikuar politikisht dhe për këtë arsye keni zvarritur dhe bllokuar hetimet e 339-së. A keni një kundërpërgjigje për këtë?/CNA.al

Veritas.com.al/