(Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë prezantimit të koalicionit)
GJERMANI- Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë do të zëvendësohet nga socialdemokrati Olaf Scholz, i cili ditën e sotme ka arritur koalicionin, duke u bërë zyrtarisht kancelari gjerman.
Pothuajse dy muaj pasi partia e tij Socialdemokrate fitoi zgjedhjet federale, Olaf Scholz, 63 vjeç bëri me dije se e ka arritur një marrëveshje me Partinë e Demokratëve të Lirë dhe Partinë e Të Gjelbërve
Sipas marrëveshjes 177-faqëshe, tre partitë kanë vendosur theksin tek mbrojtja e klimës, ku synohet të hiqet dorë nga përdorimi i qymyrit deri në vitin 2030. Ata gjithashtu do të kërkojnë të përdorin 2% të territorit gjerman për energjinë e erës dhe të fokusohen gjithashtu në energjinë e bazuar në hidrogjen. Deri në vitin 2030, palët duan që 80% e energjisë elektrike të sigurohet nga energjia e rinovueshme dhe 15 milionë makina elektrike të jenë në rrugët gjermane.
Gjithashtu ka plane për legalizimin e shitjes së kanabisit në ambiente të licencuara, me kontrolle për cilësinë dhe shpërndarjen e drogës.
Aleanca që arriti koalicionin ka një shumicë në dhomën e ulët të Parlamentit dhe shpreson që qeveria do të betohet muajin e ardhshëm pasi partitë të ratifikojnë koalicionin.
Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës, kështu që vendimet e marra nga qeveria e re do të kenë një efekt të madh tek fqinjët e saj.
Ky koalicion do të përballet me sfida të menjëhershme pasi Gjermania po përballet me një nga valët më të mëdha të COVID-19, si dhe me një Evropë që po përballet me pasojat e Brexit dhe krizën e kufirit të BE-së me Bjellorusinë.
“Sovraniteti i Evropës është një gur themeli i politikës sonë të jashtme”, tha Scholz.
Social Demokratët fituan në zgjedhjet e 26 shtatorit, përpara aleancës kristiandemokrate të zonjës Merkel, e cila pa rezultatin e saj më të keq të zgjedhjeve ndonjëherë. Të Gjelbrit arritën rezultatin e tyre më të mirë ndonjëherë, nën kandidaten Annalena Baerbock.