Drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli ka deklaruar se burime shumë të konsoliduara ndërkombëtare kanë konfirmuar se SHBA po përgatit një paketë sanksionesh ndaj Kosovës, të cilat kur të zbardhen në javët në vazhdim të të bëjnë të harrohen edhe sanksionet e vendosura nga BE. Në një lidhje live për “Zona Zero”, Sheholli theksoi se në listën e zezë të SHBA-së është një ministër i Albin Kurtit dhe një përfaqësuese shumë e fuqishme në radhët e Vetëvendosjes. Nga ana tjetër, vetë gazetari Melaim Zeka ka vendosur të zbardh emrat e personave që dyshohet se mund të jenë në listën e zezë. Sipas tij, ata janë ministri i Brendshëm, Xhelal Zveçla dhe Dejona Mihali, që është koka dhe truri i Albin Kurtit.
I pyetur nëse i konfirmonte këta emra, Sheholli në mënyrë indirekte la të kuptohej se po, ndërsa tha: “Nëse na ndodh që të hyjmë sërish në konflikt të armatosur me Serbinë, do të isha kureshtar të di nëse do t’i veshi rrobat e ushtarakut sikurse të gjithë ne edhe Dejona Mihali? A e ndjen ajo Kosovën si atdhe të vetin ashtu sikurse unë dhe ju”.
Zeka: Pse ky acarim i madh i marrëdhënieve të qeverisë së Kosovës, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian? A është e vërtetë sepse kemi dëgjuar që SHBA-të janë duke përgatitur një listë me persona ku të paktën një ministër i qeverisë Kurti dhe një përfaqësuese shumë e lartë e Vetëvendosjes janë në këtë listë të zezë?
Sheholli: Instituti për marrëdhëniet ndëretike që unë udhëheq, me bazë në Bruksel, Beograd, në Shkup, Podgoricë dhe natyrisht në veri të Kosovës dhe në qendër, dhe kemi raporte me baza javore me SHBA-të dhe BE. Më duhet ta them troç që nga një shtet me qeveri të konsoliduar, Albin Kurti e ka kthyer në një eksperiment Kosovën pikërisht duke i përkeqësuar raportet veçantërisht me SHBA-të.
Vetëm nëse deklaratat e Hovenier, ndihmës Sekretarit Xhejms O’Brajan dhe së fundmi edhe deklaratat e emnisarit Gabriel Eskobar për të kuptuar se çfarë po ndodhë me këto raporte. Nisur nga kjo rrjedhë dhe mosdëgjueshmëri të Kurtit, burime shumë të konsoliduara dhe të fuqishme ndërkombëtare na konfirmojnë se sanksionet e BE të vendosura ndaj Kosovës do të harrohen në raport me këtë që pritet të ndodhë në javët në vijim. Në këtë listë të padëshiruar të SHBA-së mund të kemi një ministër në qeverinë Kurti dhe një grua të fuqishme që bën politikat madhore nga Vetëvendosja për të gjitha qasjet qeveritare dhe dikasteret e ndryshme. Unë emrat nuk do i them, por ky është një lajm i keq për Kosovën.
Zeka: Nuk ka nevojë ti thuash emrat, por unë do t’i them. Sipas informacioneve të mija bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm Xhelal Zveçlën dhe Dejona Mihalin që është koka dhe truri i Albin Kurtit, sikur në kohën e Enverit, Sofokli Laze. Ke informacione nëse janë këta dy emra, apo nuk do të deklarohesh?
Sheholli: Nëse na ndodh që të hyjmë sërish në konflikt të armatosur me Serbinë, do të isha kureshtar të di nëse do t’i veshi rrobat e ushtarakut sikurse të gjithë ne edhe Dejona Mihali? A e ndjen ajo Kosovën si atdhe të vetin ashtu sikurse unë dhe ju. Pavarësisht nëse është në listën e zezë apo jo…