Ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba, foli për “raste të shumta” të përdhunimeve të grave ukrainase gjatë pushtimit rus që filloi javën e kaluar.
Kuleba mirëpriti thirrjen për të krijuar një gjykatë speciale për të ndëshkuar presidentin rus, Vladimir Putin, por shtoi se ishte “e vështirë” të flitej për ligjin ndërkombëtar mes vuajtjeve aktuale të vendit.
“Kur bombat bien në qytetet tuaja, kur ushtarët përdhunojnë gratë në qytetet e pushtuara – dhe për fat të keq, janë raste të shumta – sigurisht që është e vështirë të flitet për efikasitetin e ligjit ndërkombëtar”, tha Kuleba.
Pretendimet e Kulebas nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.
Forcat e Putinit kanë bërë një përparim jo të kënaqshëm në tetë ditët që kur shkelën kufijtë e Ukrainës. Ata pushtuan vetëm një qytet ukrainas, portin jugor të lumit Dnipro të Khersonit.
Në vend të një pushtimi të shpejtë, Putini tani është personalisht përgjegjës për mbi një milion refugjatë që kanë ikur nga Ukraina për në vendet fqinje evropiane.
Ata që tashmë janë larguar përbëjnë rreth 2% të popullsisë.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se rreth katër milionë njerëz përfundimisht do të duhet të ikin nga shtëpitë e tyre.