Në vendin tonë është konfirmuar varianti Delta, i infeksionit Sars-Cov2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.
Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një shënim në mediat sociale u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese për përhapjen e COVID, ndërkohë që përsërit apelin që ata të vaksinohen si e vetmja mënyrë për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Sipas ministrisë qytetarët duhet të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, vaksinat shpëtojnë jetë, ato veprojnë, reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.
Në bilancin e 24 orëve të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet me dije se nga 4078 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv me COVID, 22 qytetarë. Sakaq nuk ka asnjë humbje jete për shkak të koronavirusit.