Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka miratuar rritjen e pagës minimale të punonjësve në 30 mijë lekë.
“Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 datë 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %, duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”, tha ministrja Denaj.
Në Këshillin Kombëtar të Punës, Denaj u shpreh se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.
“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh ministrja, duke theksuar, se legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalësh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës.”
VERITAS.COM.AL