Fatos Lubonja

Publicisti Fatos Lubonja shprehet sot në një shkrim të tijin se aktivisti Eljan Tanini, i njohur për protestën kundër betonizimit të Parkut të Liqenit, nuk duhet ta merrte projektin e dhënë nga Bashkia e Tiranës. Ky fakt sipas tij nuk është faji i Taninit, por i pushtetit dhe i sjelljes së pushtetarëve i cili po vret njerëzit e lirë.
“Është sjellja e Erjonit, problemi më i madh, pra, që pasi e ka rrahur, fyer dhe poshtëruar tani po kërkon ta vrasë fare moralisht duke e kthyer nga një njeri dhe artist, në një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij”, shkruan Lubonja.
Më tej, në shkrimin e publikuar tek “Panorama”, Lubonja thekson se kryeministri po i blen intelektualët.
“Çfarë duhet të bëjë ai kur sheh se Kryeministri, për të blerë intelektualët, hap edhe një dyqan në katin e parë të Kryeministrisë ku ata hyjnë kokëulur pasi u bëhet monitorimi te dera se mos kanë ndonje bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimit qeveria i shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe ministren e Kulturës janë edhe juria, edhe artisti, edhe fituesi”, shkruan Lubonja.
Lubonja shkruan se qeveria nuk po përor burgjet, por po u pret bukën e gojës së fëmijëve.
“Njerëzit e kulturës dhe artit që po i rezistojnë këtij regjimi që nuk përdor burgjet, por që u pret atyre bukën e gojës së fëmijëve, po pakësohet dita ditës”, vijon ai.
Sipas tij, ky problem sjell një humbje të madhe për shoqërinë sepse humbasim njerëzit e lirë.
“Nga kjo ne humbasim njerëzit e lirë, krijimtarinë e lirë, mendimin e lirë dhe të humbasësh këto do të thotë që arti dhe krijimtaria, në vend se të hedhin dritë mbi realitetin: errësirën, mjerimin dhe degjenerimin që sundon prapa fasadave, të mashtrojë duke lyer e zbukuruar fasadat e pushtetit”, shkruan Lubonja
Analisti shprehet qytetarët duhet të reagojnë përballë padrejtësive, të mos presin heronj, por të bëjnë detyrën, duke shpëtuar vetveten.
“Duhet ndërprerë sa më parë ky cikël trashëgimie që të mund të kalojmë në stadin e popujve të rritur, që nuk jetojnë duke pritur duarlidhur heronjtë të vijnë t’i shpëtojnë, por si njerëz me vetëdije që në momente të caktuara bëjnë detyrën, duke shpëtuar vetveten”, shkruan ai