(Yuri Kim në KQZ- foto arkiv)
Një ditë pas raportit të SHBA ku provohej se Partia Demokratike në vitin 2017 ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mbledhur me urgjencë përfaqësuesit e partive politike dhe kreun e KQZ për të shprehur shqetësimin lidhur me financimet e huaja.
Kim thirri në takim kreun e KQZ, Ilirjan Celibashin, sekretari i përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurin, deputeten e PD Jorida Tabakun dhe deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhin për t’i bërë të qartë se partitë politike duhet të qëndrojnë larg influencave që vijnë nga vende jo aleate të SHBA.
Ilirjan Celibashi kërkon ndërhyrje ligjore dhe u shpreh se është e nevojshme që KQZ të hetojë më thellë sasinë e parave dhe burimin e tyre në mënyrë që të mos ketë më diskutime.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se partitë politike duhet të bëjnë kujdes dhe të parandalojnë cdo lloj financimi që përbën rrezik për interesat e vendit apo aleatëve të Shqipërisë. Gjithashtoi shtoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore mund të forcojë dispozitat për fushatën e ardhshme zgjedhore.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se në takim, fokusi i bisedës ishte qëndrimi i partive politike larg influencave ruse, kineze, por jo vetëm. Ndërsa Monika Kryemadhi u shpreh se financimet duhet të bëhen publike, ndaj kërkon rishikim dhe rishqyrtim të ligjit. Duke iu referuar financimit rus për Partinë Demokratike, Kryemadhi u shpreh se është proces që duhet të hetohet dhe me bindje shtoi se asgjë nuk do të mbetet pa u zbuluar.