Situata nga përmbytjet vijon të jetë problematike në qarkun e Shkodrës, ndërsa në Lezhë situata është normalizuar. Në Shkodër, 15 banesa kanë prezencë uji dhe disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Procesi mësimor do të nisë në 43 shkolla, ndërsa në 13 shkolla në Shkodër do të vijojë të mbetet i pezulluar.
Në Shkodër vijon të mbetet i pezulluar mësimi në 13 shkolla. Sipërfaqja e përmbytur është rritur me 60 ha, nga 1340 ha që ishte një ditë më parë ka shkuar në 1400 ha. Rruga e Obotit dhe rruga Shirq-Darragjat janë të pakalueshme. Dy mjetë të ushtrisë dhe 7 ushtarë janë vënë në ndihmë të banorëve në Obot për të kaluar këtë rrugë. Në fshatin Obot ka prezencë uji në 15 banesa. Rruga Qafe Thore vijon të jetë e bllokuar.
Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Disa zona kanë mbetur pa energji elektrike. Njësia Administrative Vig Mnele ka 2 fshatra pa energji elektrike. Janë dëmtuar 2 ura që kanë bërë pothuajse të pakalueshme të gjitha akset rrugore në këtë njësi. Njësia Admin Temal nuk ka energji elektrike ne 10 fshatra.
Situata është normalizuar në Lezhë. Aktualisht është vetëm 350 ha tokë e përmbytur. Nuk ka probleme me energjinë elektrike dhe të gjitha akset janë të kalueshëm. Për shkak të motit të keq, deti i trazuar i ditëve të fundit ka sjellë dëmtime të shumta në shëtitoren e Kunes në Shëngjin.
Në Durrës ka rrëshqitje dherash në zonën e Currilave në Durrës dhe është bllokuar njëri kah i rrugës.
Në Korçë reshjet e dëborës kanë sjellë probleme në aksin Shtyllë-Panarit, ku po punohet për hapjen e rrugës. Ka ndërprerje të energjinë në fshatin Vithkuq e Lekas. Të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme.