Ka përfunduar stërvitja kombëtare e Forcave të Armatosura “Përpjekja e Përbashkët 2024” në Bizë. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deklaroi se kjo stërvitje ka rëndësi të madhe për vendin tonë, pasi shërben edhe si një test real i planeve kombëtare në mbështetje të planeve rajonale të NATO-s.
“Kjo stërvitje vuri në provë kapacitetet tona reaguese në rast të aktivizimit të Artikullit 5 të NATO-s, atë të mbrojtjes kolektive, gatishmërinë e forcave, aftësitë dislokuese, komandim-kontrollin, sigurimin e pikave të debarkimit detar dhe ajror, sigurimin e infrastrukturës kritike, si dhe zhvillimin e operacioneve mbrojtëse dhe mësymëse të trupave të deklaruara për t’u dislokuar jashtë vendit”, u shpreh Ministri Peleshi.
Sa i përket sigurisë, Peleshi vuri në dukje faktin se në përmbushje të angazhimeve kombëtare dhe atyre të deklaruara në NATO, vendi ynë ka ndërmarrë një sërë procesesh të rëndësishme për zhvillimin e Forcave të Armatosura, për të qenë sa më moderne, profesioniste, dhe të afta për të përmbushur misionin kushtetues dhe tërësisht të ndërveprueshme me vendet e Aleancës.
“Ne jemi të vendosur për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik, duke vendosur theksin te transformimi i pandërprerë i forcave dhe kapaciteteve ushtarake. Modernizimi i FA me pajisje moderne, sisteme të mbrojtjes kundër-ajrore dhe kundër-tanke, të vëzhgimit dhe monitorimit të hapësirës ajrore dhe detare, krahas projekteve për përmirësimin e infrastrukturës ushtarake, e bëjnë vendin tonë një aset të rëndësishëm të Aleancës, në mbështetjen e operacioneve në kuadër të shkurajimit dhe mbrojtjes kolektive”, theksoi në fjalën e Ministri i Mbrojtjes.
Stërvitja “Përpjekja e Përbashkët 2024” që u zhvillua në Bizë, sinkronizoi aftësitë ndërvepruese të niveleve komanduese e drejtuese si dhe ekzekutimin e veprimeve luftarake të trupave në terren. Në këtë stërvitje u angazhuan rreth 2000 trupa, qindra mjete tokësore, anije të Forcës Detare, helikopterë të Forcës Ajrore, si dhe për herë të parë dronët “Bayraktar TB2”.