Kreu i Dumës Vyacheslav Volodin  deklaroi se 75-vjeçari lider dhe themelues i Partisë Liberal Demokratike, në fakt me qasje ultranacionaliste,  ndërroi jetë pas një sëmundje serioze”, që burimet identifikojnë pikërisht në virusin pandemik.

Paradoksi më i madh, në vdekjen e një politikani tejet të diskutueshëm si Vladimir Zhirinovsky, është se pak javë më parë, me tonin e tij historikisht arrogant deklaronte se COVID-19 nuk mund t’i bënte gjë, dhe se ai ishte vaksinuar tetë herë me rusen Sputnik.

Me vdekjen e tij, Rusia humb një nga personazhet e saj më të diskutuara, që prej vitesh merrej si shembull nga media perëndimore për pozicionet ekstreme, që gjithsesi reflektonin mendimin e një pjese të shoqërisë të atij vendi.  Mbështetës i një ideje ekspancioniste të Moskës në botë,  Zhirinovsky mori vëmendjen e opinionit publik pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Lindur në Kazakistan nga një baba hebre me origjinë polake që e braktisi atë dhe nënën ruse, Zhirinovskij shpesh ka treguar hapur qëndrime raciste dhe antisemite, duke refuzuar gjatë vetë origjinën e tij. Kur e pranoi, në vitin 2008, komentoi se “nuk ka pse të mohoj gjakun dhe dashurinë për Rusinë, duke u dashuruar pas popullit hebre vetëm për një pikë gjaku që im atë ka lënë brenda mamasë time”.

Partia e tij ishte subjekti i parë politik i njohur ligjërisht i pluralizmit politik rus, Zhirinovsky kandidoi si president në 1991 duke mbërritur i treti, ndërkohë që rezultati më i mirë u arrit në vitin 1993 nga partia e tij, që u radhit e para me 22.92% të votave të një populli ende të shokuar nga transicioni drejt kapitalizmit, kolapsi i aparatit shtetëror dhe varfëria gjithmonë e më e skajshme.

Pozicionet ekstreme nuk i lejuan kurrë kësaj partie dhe liderit të saj Zhrinovski që të merrnin pushtetin, duke ulur popullaritetin në vota edhe pse ka mbetur një pikë referimi për të djathtën radikale, jo vetëm brenda kufijve rusë.