Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i integrimit të Shqipërisë ka njohur një përshpejtim të fortë falë përmbushjes së detyrave të lëna nga Brukseli, por edhe falë synimit të BE-së për ta çuar para zgjerimin.

“Po. Është e vërtetë. Prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë. Falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara.

Në një intervistë për emisionin “EstOvest” në RAI, Rama veçoi mbështetjen që po jep Italia, ndërsa u ndal te Korridori 8, të cilin qeveria e Romës synon ta çojë përpara.

“Italia nuk është një nga mbështetësit kryesorë, por Italia është mbështetësi kryesor i Shqipërisë. Korridori 8 është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm që, në të vërtetë, falë kësaj qeverie që është në Itali, përfundimisht ka hyrë në një fazë të re”. 

Bashkëpunimin mes dy qeverive për ndërtimin e Korridorit 8 e thekson edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë.

Po. Është një korridor paneuropian i ndërlidhjes, i linjave të transportit, hekurudhave, rrugëve tokësore, digjitalizimit, porteve, aeroporteve, etj. Do të lidhë dy dete, Detin Adriatik dhe Detin e Zi. Është një projekt lindje-perëndim. Ministri Tajani erdhi kohët e fundit në Shqipëri për eventin e Korridorit 8 për t’i mëshuar rëndësisë që ka kjo linjë e re si në terma strategjikë, të sigurisë, stabilitetit dhe lëvizshmërisë ushtarake, por edhe në anën e përfitimeve të ndërmarrjeve tona.

Rama u pyet edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë, duke e konsideruar këtë një projekt të rëndësishëm përtej Italisë.

“Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve Arabe për këtë projekt, që është sërish një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia.”

Ndërtimi i linjës nënujore të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë synohet të ndërtohet brenda 3 vitesh.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *