Genc Ruli është një nga deputetët, por edhe një iniciatorët e parë për krijimin e Partisë Demokratike. Edhe pse një deputet i njohur si jo konformist, sot është shfaqur në anën e kundërt të atyre që kërkojnë “gijotinë” për kryetarin e PD, Basha, me arsyetimin se “ka humbur zgjedhjet në Dibër.
Nga Maliqi ku ishte për një takim me struktura të PD-së, deputeti Genc Ruli ka marrë në mbrojtje kreun e partisë, Lulzim Basha.
Ai tha se “demokratët s’e kanë betejën me veten e tyre por me kundërshtarin”, duke shtuar se fushata e vitit 2017 do të jetë më e vështira në këto 25 vjet për PD-në.
“Partia Demokratike duhet të jetë përçuese e mentalitetit perëndimor. Betejën sot e kemi me kundërshtarin politik, jo me veten. Nesër është beteja jonë e madhe. Kjo do jetë fushata më e vështirë në këto 25 vite. Sot kemi regjimin qe nuk ka dalë nga vota. E majta e vërtetë është më e zhgënjyera, sepse sot është pushteti i bandave. Dibra tregoi se e keqja është e madhe, por kjo është republika e kanabisit. Kjo mortje duhet mbytur në 2017. Në qoftë se ka një forcë që ka mundësinë për të rrëzuar këtë pushtet, jemi vetëm ne, PD”, citon “Panorama” deputetin Ruli.
Një ditë më parë gjatë një interviste televizive, deputetja e PD, Majlinda Bregu, është shprehur se zgjedhja e Bashës në krye të PD-së ishte një gabim, ndërsa theksoi se partia ishte më mirë kur drejtohej nga Berisha. /Veritas.com.al/