Nga ora 12:00 e ditës së dielë ka nisur testimi i aplikimit të taksës për të kaluar në Rrugën e Kombit.

Testimi pritet të zgjasë rreth dy javë, ndërsa qarkullimi me pagesë pritet të fillojë rreth datës 15 prill.

Tarifat e miratuara janë 5 euro për çdo kalim për veturat e vogla dhe 10 euro për autobusët dhe kamionët.

Taksa është kundërshtuar në vijim nga banorët e zonës së Kukësit, të cilët të organizuar nga shoqata “Biznesi për Biznesin” dhe të përkrahura nga drejtues të pushtetit lokal kanë zhvilluar dhe protesta.

Por çfarë mendon kreu i Shoqatës, Sokol Kolgjini, që tashmë taksimi i Rrugës së kombit është realitet?

Kolgjini: “E paligjshme”.

Meqë taksa është realitet nuk na mbetet gjë tjetër veçse të të përsërisim po ato gjëra që kemi thënë. Është një taksë e paligjshme dhe e pa moralshme. Jemi para faktit që do të paguajmë. Është taksë e paligjshme sepse detyrohen të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë komuniteti kuksian të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim, të paguajnë dy herë për mirëmbajtjen e autostradës. Njëherë sipas ligjit 157/2014 që na detyron të paguajmë taksën e qarkullimit në karburant dhe njëherë taksën e koncesionarit në tra.

Do ishte shumë normale ndjekja në rrugë ligjore. Për pjesën që është e pamoralshme, komuniteti kuksian detyrohet të paguajë për nevojat e tij jetike. Ky komunitet vihet përballë dy trarëve, një tra nga Kosova dhe një tra nga Tirana. Cila do të ishte zgjidhja? Ka precedent të vendeve të ndryshme ku komunitetet përjashtohen. Teknikisht është lehtësisht e zgjidhshme që komuniteti të mos paguajë taksë deri sa të ketë një rrugë alternative. Është minimumi që qeveria mund të bëjë për qarkun e Kukësit.

Veritas.com.al/