The Associated Press

 

OMAHA, Neb. (AP) – I pari testim klinik në Sh.B.A. i një trajtimi të mundshëm të koronavirusit po zhvillohet në Nebraska dhe përfundimisht pritet të përfshijë 400 pacientë në 50 vende në të gjithë botën, thanë zyrtarët të martën.

Gjysma e pacientëve në studimin ndërkombëtar do të marrin mjekimin antiviral remdesivir ndërsa gjysma tjetër do të marrë një placebo. Disa studime të tjera, duke përfshirë një që shikon të njëjtin ilaç, tashmë janë duke u zhvilluar ndërkombëtarisht.

Doktor Andre Kalil, i cili do të mbikëqyrë studimin në Qendren Mjekësore Universitare te Nebraskes, tha se testimi klinik u zhvillua shpejt në përgjigje të shpërthimit të virusit që e ka origjinën në Kinë. Pacientët që janë shtruar në spital me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, do të kenë të drejtë të bashkohen në testim nëse kanë të paktën simptoma të moderuara.

“Qëllimi këtu është të ndihmojmë njerëzit që u duhet më shumë,” tha Khalil.

Katërmbëdhjetë vetë që ishin evakuuar nga një krocere në Japoni po trajtohen në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskas. Dymbëdhjetë prej tyre janë testuar pozitiv për COVID-19.

Nuk ka asnjë trajtim të provuar ose vaksina për virusin e ri dhe misterioz, i cili ka infektuar më shumë se 80,000 njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë më shumë se 2700, me shumicën dërrmuese të rasteve në Kinë.

Mjekët u japin pacientëve lëngje dhe qetësues për dhimbjet që të përpiqen të lehtësojnë simptomat, të cilat mund të përfshijnë ethe, kollë dhe frymemarrje të zorshme. Në rastin e atyre që janë të sëmurë rëndë, mjekët përdorin ventilatorë për t’i ndihmuar të marrin frymë ose një makinë që pompon dhe oksigjenon gjakun e tyre jashtë trupit, duke lehtësuar barrën në zemër dhe mushkëri.

Të paktën dy studime të pacientëve janë duke u zhvilluar tashmë në Kinë, përfshirë studimin tjetër që përfshin remdesivir, i cili është bërë nga Gilead Sciences, dhe një tjetër që teston një ilaç të kombinuar HIV që përmban lopinavir dhe ritonavir.

Në një draft-plan studimi të botuar muajin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetit tha që remdesivir konsiderohej “kandidati më premtues”. Eshtë përdorur pak në disa pacientë me Ebola në Kongo para se studimi të ndalohej. Por OBSH përmendi studime laboratorike që sugjeruan se mund të ishte në gjendje të luftonte SARS dhe MERS, të cilët janë kushërinj të virusit të ri.

Gilead ka siguruar ilaçin për përdorim në një numër të vogël pacientësh, përfshirë një burrë në shtetin e Uashingtonit i cili u sëmur pas një udhëtimi në Wuhan, qyteti kinez në qendër të epidemisë. Ai nuk është më i shtruar në spital, por nuk është e qartë nëse Remdesivir e ndihmoi.

VERITAS.COM.AL/