Para se të nisë seanca e dytë Parlamentare e sezonit të ri të vjeshtës, po “arredohen” grupet parlamentare. Rregullimet i imponon vetë ndryshimi që na ndodhur në fushën politike. Maxhoranca ndjehet e pasigurt në kompozimin që ka mes “dy të mëdhenjve” PS dhe LSI. Viti ku jemi, por veçanërisht stina e verës që mund të quhet edhe “stina e reformës”  ka shfaqur disa mosmarrëveshje mes dy aleatëve të mëdhenj.

Frika që ka qeveria se papritur mund të bjerë për shkak se Ilir Meta (LSI) mund të largohet nga koalicioni, ka bërë që PS të afrohet më shumë me një parti tjetër, herë opozitare e herë qeveritare brenda të njëjtit mandat, që tashmë është quajtur “Partia e Çamëve”, ose PDIU. Ditët e fundit ajo është vendosur plotësisht brenda marrëveshjes me PS. Ka marrë disa zyrtarë të shtetit dhe po pret që të marrë edhe një ministri.

Në këtë sesion, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet do të jetë zyrtarisht dhe unanime pjesë e koalicionit të majtë, pasi deri më tani ka pasur shumë mosmarrëveshje dhe disa deputetë të PDIU nuk i votonin shumicën e ligjeve të qeverisë. Kryeministri  Rama pas përplasjeve të fundit me Metën, me shpejtësi është afruar shumë me Idrizin (PDIU)i. Aktualisht PDIU ka në gjirin e saj 5 deputetë, konkretisht: Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mesila Doda. Por që të jetë grup parlamentar një parti duhet që të ketë të paktën 7 deputetë. Sipas informacioneve zyrtare nga Kuvendi, rezulton që pjesë e grupit të saj të jenë edhe deputetët Anduel Xhindi i PS dhe Gledion Rehovica e Bujar Derveni, të LSI.

Këta deputetë ishin të LSI por u huazuan nga PDIU, me qëllim që edhe kjo parti të mund të kishte grupin e vet parlamentar. Ishte stinë miqësie mes Rama- Meta dhe stinë e bollëkut me deputetë në maxhorancë.

Tani punët ndryshuar dhe LSI ka nevojë të tërheqë deputetët e vet. Jo thjesht nevojë, por po i heq Ramës deputetët e LSI. “Me  nisjen e sesionit të ri pritet që dy deputetët të kalojnë te LSI dhe çamët të marrin deputetë borxh nga PS për të formuar grupin parlamentar”, njoftojnë burime të gazetës Sot.

Nga ana tjetër pritet që dhe Mesila Doda të zyrtarizohet si kryetare grupi, pasi aktualisht rezulton Shpëtim Idrizi. Sipas burimeve, PDIU po këmbëngul fort që të jetë grup parlamentar, pasi ka më shumë përfitime. Ajo përfaqësohet në Konferencë Kryetarësh, apo dhe kryetari i saj përfiton shërbime nga shteti si automjete dhe përfitime të tjera politike.