Arrestohet nga policia një person i dënuar me burgim të përjetshëm. Bëhet fjalë për shtetasin Tesi Basho, i cili rezulton të jetë arratisur nga burgu në Itali.

Tesi Basho, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, së bashku me dy të dënuar të tjerë gjithashtu shqiptarë, u arratisën nga burgu në Itali ku vuanin dënimin, mbrëmjen e 26 tetorit 2016. Mediat italiane e cilësuan asokohe spektakolare arratisjen e tre shqiptarëve të cilët përdorën çarçafë për të dalë nga qelia.

Më datë 24.01.2008, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion.

Zv/drejtoresha e policisë së shtetit Aida Hajnaj dha detaje të Operacioni të koduar “Selenica” në kuadër të të cilët, u vu në pranga i dënuari me burgim të përjetshëm Tesi Basho. Bashkë me të, Hajnaj tha se u arrestua edhe vëllai i tij, ndërsa në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan, armë, drogë e sasi eksplozivi.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar lidhur me super-operacionin policor të zhvilluar sot në qytetin e Vlorës, ku u arrestua personi i arratisur nga burgu i Italisë, Tesi Basho.

Ministri Lleshaj e cilëson Bashon ‘një ndër kriminelët më të rrezikshëm në vend’, pasi akuzohet për vrasje të shumëfishtë, për arratisje nga burgu italian dhe për vepra të tjera të rënda.

Veritas.com.al/