
Në raportin e zbardhur të Parlamentit Europian për Shqipërinë rikonfirmohet ambicia e qeverisë për mbylljen e grupkapitujve të integrimit brenda vitit 2027.
Po ashtu në draft theksohet rëndësia për konsensus të gjerë politik për cuarjen përpara të reformave të kërkuara teksa vlerësohet edhe qendrimi në një linjë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian
“Përshëndet angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke reflektuar konsensus në mesin e partive politike dhe mbështetje dërrmuese në mesin e qytetarëve, dhe e përgëzon atë për harmonizimin e plotë e të qëndrueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe promovimi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.”
Në raport vlerësohet progresi që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit dhe demokracise por shpreh shqetësim për ndërhyrjet e mundshme mbi gjyqësorin.
“Vlerëson përparimin e bërë në reformën në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut), i cili është përfunduar në shkallë të parë. Megjithatë, shpreh shqetësim për ndërhyrjet e mundshme politike dhe presionin mbi sistemin gjyqësor. Thekson rëndësinë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë.”
Dy ditë më parë, edhe grupi social demokrat në Parlamentin Europian rikonfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë. Sipas tyre, pese janë sfidat kryesore për vendin tonë, polarizimi politik, reformat antikorrupsion, reforma zgjedhore, pavarësia e medias dhe mbrojtja e mjedisit, por sipas të majtëve të moderuar europianë, këto janë objektiva realist për ta anëtarësuar Tiranën brenda 2030 në Bashkimin Europian.
Shqipëria është në pritje për mbajtjen e konferencës së katert qeveritare për grupkapitujt e Tregut të Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Rrritja Gjithëpërfshirëse. Ndërsa në fund të vitit të kaluar janë hapur negociatat për Themeloret dhe Marrëdhëniet me jashtë.
Komente