Shkruan: DW/
Pas takimit të pasuksesshëm të mërkurën mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq, shtypi gjermano-fon i kushton vëmendje ngecjes së negociatave mes dy vendeve por edhe një filmi mbi serbët e shqiptarët.
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” vëren se edhe takimi i fundit me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel mes presidentit Thaçi dhe atij serb Vuçiq (18.07) nuk ka sjellë asnjë progres të ri në dialog. “Frontet duken të ngrira.” NZZ citon presidentin Thaçi, i cili bëri fjalë “për një nga takimet më të rënda të gjashtë viteve të fundit”. Bisedimet e së mërkurës nuk zgjatën shumë. Pas takimit edhe presidenti serb u shpreh vetëm se “duhet të vazhdohet të negociohet”.
NZZ vëren se të paktën “të dyja palët kanë rënë në ujdi që të mos nxisin konflikte të reja”. Por duket se Vuçiq ka qenë i pakënaqur. NZZ citon presidentin serb të ketë thënë “kështu nuk funksionon”, lidhur me kërkesën e Prishtinës për njohjen e Kosovës. “Të nevojshme janë kompromise”. Por se për çfarë kompromisi bëhet fjalë, këtë nuk e përmend as NZZ dhe as presidenti Thaçi e Vuçiq nuk e përmendën të mërkurën.
Një film i njëanshëm
Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje një filmi që transmetohet nga televizioni ARTE të enjten në mbrëmje, (19.07) një bashkëpunim gjermano-serb me titullin “Enklava” duke e cilësuar atë si një melodramë të Kosovës dhe në mënyrë të padurueshme të njëanshëm.
“Heroi i filmit është 10 vjeçari serb, Nenad…qe jeton me familjen e tij në një… enklavë, që do të thotë që ai përditë duhet të shkojë në shkollë me një automjet të blinduar të KFOR-it, në një shkollë, ku ai është i vetmi nxënës i të vetmes mësuese. …Këtij fëmije i jepet roli të jetë një naiv i guximshëm. Nenad kërkon të luajë me fëmijët e i jepet kësaj dëshire, duke luajtur kukafshehthi me tre djem shqiptarë. Për një moment në film të duket i mundur mirëkuptimi brenda gjeneratës së re, por situata ndryshon, kur pa shkak Bashkimi, lideri i grupit, nuk ia fal Nenadit që serbët i kanë vrarë babanë e tij. ‘Unë nuk kam vrarë askënd’, i përgjigjet Nenadi.”
FAZ i kushton vëmendje prezantimit të ndryshëm të të dyja palëve në konflikt në film duke theksuar se prezantimi i shqiptarit në film është i ngarkuar nga klishetë. “Jo vetëm që përballë Nenad, figurës simpatike të filmit qëndron një Bashkim i pashkolluar,(asnjë nga djemtë shqiptarë nuk shkon me sa duket në shkollë), por vështrimi i përgjithshëm ndaj Kosovës është i ndarë çuditshëm mëdysh: Këtu shtypja heroike e serbëve krenarë,…andej shqiptarët myslimanë të paraqitur në çdo rast si të prapambetur,… të cilët mezi presin një rast të gënjeshtërt për t’u bërë të dhunshëm.”
Veritas.com.al/