Behar Bajri është ekstraduar në Shqipëri nga Franca pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
43-vjeçari pritej në aeroportin e Rinasit nga policia nën masa të forta sigurie.
Bajrai u arrestua në Francë në muajin Shtator, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e tij.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.
Behar Bajri dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi B. B., kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.