E vetmja mënyrë tjetër, sipas tij, që taksat të hiqeshin, do të ishte që ato të shtoheshin mbi biznesin e vogël. Mirëpo, nëse kjo gjë do të ndodhte, do të kishte pasoja shkatërruese për biznesin e vogël në këtë rast, i cili përbën edhe një pjesë shumë të madhe të punësimit në Shqipëri.
Ndër të tjera, Rama ka theksuar se fakti është i pamohueshëm, që çmimet janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë.
“Fakti është se këtë situatë e solli një luftë që as e nisëm ne dhe as e ndalojmë. Nëse rritja e çmimeve është diçka që vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë, i pangopësisë ky është një fakt tjetër. Dhe që këtë e ka sjellë lufta duhet të jesh krejtësisht i papërgjegjshëm që ta mohosh”, vijoi kryeministri.
Sa u përket trendëve të tregjeve, numri një i Qeverisë pretendoi po ashtu se rritjet e uljet në Shqipëri janë tërësisht në përputhje me luhatjet në tregjet botërore. Kështu, duke përjashtuar akuzat për abuzim me çmimet.
Një fjalë, kryeministri nuk e kurseu as për protestat e zhvilluara për rritjen e çmimeve, të cilat sërish i cilësoi si “të turpshme”. Ndërsa, shtyrjen e tyre për ditën e shtunë, e zbërthen si arsye për të pritur faktorë politikë nga rrethet, në mënyrë që të shtohet pjesëmarrja.