TIRANË– Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një intervistë për Report Tv ka dhënë detaje nga procesi i vaksinimit masiv, që pritet të fillojë ditën e nesërme. Në sheshin “Skëndërbej” po ngrihen 2 çadra, me nga 10 postacione, që do të kthehen në qendra vaksinimi, për të përmbushur objektivin për 10 mijë vaksinime në ditë në të gjithë vendin. Ky është qëllimi kryesor, tha Manastirliu, teksa shtoi se sfida është kryerja e deri në 15 mijë vaksinimeve në ditë që të mund të përfundojë si proces brenda 14 muajve.

“Ne kemi një objektiv, duam që të arrijmë rreth 10 mijë vaksinime në ditë, sfida është deri në 15 mijë që të arrijmë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj. Ky do të jetë një proces, në ditët e para do të jetë shtrirja dhe vendosja e gjithë procedurave tipike të punës. Nesër në sheshin “Skëndërbej”, do të jenë edhe mjekë dhe infermierë të Forcave të Armatosura, në ndihmë të personelit shëndetësor”, tha Manastiliu.

Paralel me procesin e vaksinimit në sheshin “Skëndërbej”, do të vijojë vaksinimi në stadiumin ‘Air Albania’ dhe në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Manastirliu vuri theksin se rolin kyç në këtë proces e kanë mjekët e familjes, të cilët do të jenë ata që do të njoftojnë qytetarët për vendin, datën dhe orën.

“Nga nesër nisim një vaksinim masiv, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend, tashmë është bërë distribucioni i të gjitha vaksinave që kanë mbërritur, certifikuar nga ISHP dhe Agjensia e Barnave, dhe janë shpërndarë, ndërkohë që në Tiranë, vaksinimi në Arenën Kombëtare do të vijojë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” do të bëhen vaksinimet për të moshuarit mbi moshën 75 vjeç, duke vazhduar me moshën 70 e më poshtë.  Ato që janë +80 dhe +85 vjeç do të vijojë vaksinimi në qendrat shëndetësore, por edhe një pjesë e tyre në “Arenën Kombëtare”, ndërsa ato +75 do të marrin dozën në Sheshin “Skëndërbej”. Ata do të thërriten nga mjeku i familjes, do të jetë ai që do ta lajmërojë për vendin, kohën, orën, kështu kemi bërë për të gjithë ata mbi 80 vjeç, që janë vaksinuar mbi 10 mijë të moshuar, që janë lajmëruar nga mjeku i familjes dhe kështu do të ndodhë edhe për ato që janë në sheshin “Skëndërbej” apo edhe qendrat e tjera kudo në vend”, tha ministrja për gazetaren Eliza Gjediku.

Për ata që nuk kanë një mjek të familjes, duhet të aplikojnë në portalin E-Albania, që të shmangen grumbullimet.

“Ata që nuk e kanë këtë informacion se cili është mjeku i familjes që do e thërrasë, duke nisur nga e hëna në E- Albania do të bëhet kërkesa për aplikim për mjekun e familjes dhe do të jetë ky i fundit që do njoftojë qytetarin se kur do t’i vijë radha për t’u vaksinuar. Kjo për të mos krijuar konfuzion, ne nesër fillojmë në sheshin “Skënderbej”, në këto qendra, të vaksinimit të përqëndruar, por qytetarët do të njoftohen nga mjeku i familjes, duhet të shmangim grumbullimet”, shtoi Manastirliu.

Me ecurinë e këtij procesi pritet që të ketë një lehtësim të masave në sezonin veror, ku siç ka njoftuar më herët kryeministri Edi Rama, synohet që deri në qershor të kenë marrë vaksinën anti-COVID, 500 mijë qytetarë.

“Sa më shpejt të vaksinohemi aq më shumë mbrohemi, por derisa sa të vaksinohet e gjithë popullsia, duhet të jemi të kujdesshëm, por sigurisht shpresojmë që periudha e verës të jetë me masa të lehtësuara në raport me popullsinë që do të vaksinohet. Objektivi ynë 500 mijë vaksinime deri në qershor dhe jemi të dedikuar për ta bërë këtë gjë”, tha Manastirliu.

Sa i përket vaksinave që BE-ja do japë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manastirliu ka sqaruar se shpërndarja do bëhet mbi bazën e numrit të popullsisë.

“BE ka dedikuar 651 mijë vaksina të fier, për ti shpërndarë në të gjitha vendet e rajonit, dhe do të përdoret strategjia e ndarjes për banor (për numër popullsie) dhe natyrisht që Shqipëria do të përfitojë nga ky grant dhe mbështetje. Por qeveria shqiptare kryeministri Edi Rama nuk i ka ndalur asnjëherë përpjekjet dhe në një kohë kur shumë vende nuk e kishin nisur vaksinimin Shqipëria e filloj. Po zgjerojmë fashat edhe për grup moshat, dhe do të vazhdojmë negociatat me kompani të tjera për të pasur një sasi të madhe dozash për të mbrojtur sa më shumë jetë”, tha ministrja Manastirliu.