Nga: Il Giornale/

Edhe zotat (e vetëshpallur) rrëzohen. Nuk flasim vetëm për udhëheqës politikë, por edhe për partitë e tyre.

Progresiste, natyrisht. Një katastrofë e vërtetë në vitin 2017. Është e vërtetë se ka një valë populiste në rritje tani në çdo vend evropian, nga partitë e ekstremit të djathtë, por është po aq e vërtetë se ajo që del nga zgjedhjet me kocka të thyera, është gjithmonë e majta.

Rezultati i zgjedhjeve në Gjermani ishte vetëm konfirmimi më i fundit. Social Demokratët (SPD) kanë rënë në 20.5 për qind, rezultati më i keq i historisë së tyre (që deri tani ishte 23 për qindëshi i vitit 2009). “Një disfatë e rëndë”, siç u pranua nga udhëheqësi Martin Schulz. “Do të shkojmë në opozitë. Votuesit kanë folur qartë, nuk duan një koalicion të ri të madh”.

Ai ka të drejtë, por mbi të gjitha ata nuk duan të majtën në qeveri. Angela Merkel mbetet Kancelare, e ngarkuar me krijimin e një qeverie të re koalicioni, por Unioni i saj CDU-CSU ka marrë rezultatin më të keq që nga viti 1949. Ajo që është shpërblyer, është e djathta ekstreme, e cila në Gjermani, si kudo në Europë, e ka shumë të kollajtë të luajë kundër qeverive që përpiqen të hapin dyert për imigracionin.

Edhe Britania e Madhe, e cila shkoi në votime qershorin e kaluar, nuk e ka shpërblyer të majtën, duke konfirmuar qeverinë e partisë konservatore të Theresa May. Laburistët e Jeremy Corbyn mbetën me gisht në gojë: shpresonin që duke vënë bast gjithçka, për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian, do të ktheheshin në rrugën e duhur.

Një diskutim më vete meriton Franca, ku për herë të parë në Republikën e Pestë, një president i larguar (socialisti François Hollande) ka hequr dorë nga mandati i dytë. Jo për shkak se ishte lodhur nga politika, por për të shanseve të ulëta (disa sondazhe i dhanë vendin e katërt prapa Marine Le Pen, Emmanuel Macron dhe François Fillon). Për më tepër, qeveria e tij ishte e mbushur me kriza, që nga menaxhimi i emergjencës terroriste tek politika e taksave, e deri te reforma e punës, e cila ka shkaktuar protesta të dhunshme. Rezultati? Një rënie e pashembullt e popullaritetit, që gjithashtu ka prekur rezultatin e zgjedhjeve për Eliseun. Partia Socialiste u mori një goditje të rëndë, me një rekord negativ historik: 6.3 për qind. Në vetëm pesë vite, socialistët kaluan nga presidenca, tek pothuaj zhdukja totale (ata morën pak më shumë se 2 milionë vota).

Por ky ka qenë një vit i zi pak a shumë kudo, për të majtën. Edhe në Holandë, ku votuesit shprehën vullnetin e tyre në mars, në zgjedhjet e fituara nga Mark Rutte i qendrës së djathtë (liberal konservator, i cili kreu një fushatë për të shkëputur vota nga Partinë e Lirisë e Geert Vilders, i cili kishte zgjuar politikën me luftën e tij kundër imigrimit, sidomos islamik). Por ajo që pagoi faturën, edhe këtu, ishte e majta. Partia e Punës (socialdemokratë) ka rënë nga 24.8 në 5.7 për qind, duke humbur 29 vende në parlament.

Për ta mbyllur me Spanjën, e cila votoi në vitin 2016, por në të vërtetë shtroi rrugën për humbjet e krahut të majtë evropian. Partia Socialiste është gozhduar në pak më shumë se 22 për qind, e mposhtur nga Partia Popullore e Mariano Rajoy. Morën fund kështu kohët e lavdishme të Zapateros.

Shkurt, në të gjithë Evropën fryn një erë e qendrës së djathtë, por nuk mund të thuhet se ajo është triumfuese. Partitë nacionaliste dhe ekstremiste të së djathtës, në fakt, po rriten. Por lajmi i vërtetë është se partitë tradicionale të majtës po shemben përdhe. Përktheu: Bota.al/