Ilir Metën e kam përkrahur në disa çështje jetike për vendin dhe nuk jam penduar. KOHA JONE e ka mbrojtur kur Berisha donte ta therte si djalosh deputet opozitar sikurse edhe kur Fatos Nano donte ta rrëzonte padrejtësisht si kryeministër apo edhe tani si president në raport me sulmet e paskrupullta të Rilindjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Por kur Ilir Meta nuk respekton median KOHA JONE vetëm se u ndamë në raport me disa qëndrime të tij gjatë javës së fundit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, sidomos me një deklaratë të tij në raport me SHBA, jam i detyruar të flas publikisht kur shikoj se në 30-vjetorin e gazetës KOHA JONE, gazetës që bëri histori e betejë përplasje me pushtetin e kohës për lirinë e fjalës, ai nuk i dha një dekoratë respekti GAZETES apo të paktën disa gazetarëve të saj që kanë bërë emër në këto 30 vite.
E ndërkohë Meta, pardje, dekoroi disa gazetarë (që gjithsesi mirë bëri për të paktën dy prej tyre), por kur ai injoron median më të madhe të këtyre 30 viteve pluralizëm, nuk mund ta mbyll gojën.
Nuk mund të mos flasë, pasi kam detyrim ndaj vetes, ndaj pjellës time mediatike KOHA JONË, ndaj dhjetëra e dhjetëra gazetarëve të cilët erdhën në KOHA JONE dhe kontribuan në rritjen e emrit të saj, sikurse morën nga lavdia e gazetës.
Të them se nuk ndihem i fyer kur dekoron të tjerë gazetarë që nuk kanë lidhje me KOHA JONË, më duhet të gënjej!
Të them se nuk ishe Ti, i para zgjedhjeve të 25 prillit, që më thoshe se në 30-vjetorin e KOHA JONE do të dekoroje gazetën si instutucioni më i rëndësishëm i fjalës së lirë në këto 30 vite, më duhet të gënjej!
Të them se nuk të kanë ardhur propozime nga shoqatat kryesore të gazetarëve shqiptarë, mbetet gënjeshtër e madhe.
Çdo njeri publik (besoj se jam) bën diçka në jetën e tij ku shquhet apo bën histori. Dhe që ta lë realisht modestinë, unë historinë time e bëra në media. Natyrisht me kolegë. Por që të mos vlerësosh median KOHA JONË nuk ta fal!
Realisht nuk ta fal, sepse je i padrejtë, bile paksa hakmarrës.
Dekoratat, Presidenti i Republikës, i jep si vlerësim ndaj dikujt që ka kontribute në shoqerinë shqiptare. Dekorata nuk prodhon lekë, por është respekt që Kryetari i Shtetit jep në emër të Shtetit.
Dhe këtë respekt dhe vlerësim Ti nuk e bëre. Tashmë 30 vjetori si gazetë iku, me 11 maj 2021 gazeta si print u mbyll dhe KOHA JONË konkuron në një botë online.
Besoj se dikush tjetër, si President, pas 24 korrikut 2022 do ta vlerësojë emrin dhe famën e KOHA JONE në historinë e pas vitit 1990.
Por kur shikoj numrin e madh të dekoratave që ke dhënë në këto 4 vite si President, ndihem keq që nuk vlerësove MEDIAN që bëri histori.
Nëse nuk doje emrin KOHA JONË sepse mund të krijoje keqkuptime me ish-presidentin Berisha, pasi KOHA JONË u dogj si redaksi nga policia, Shërbimi Sekret dhe Garda e Republikës natën e 2 marsit 1997 (kur ishte në pushtet PD-ja) mund të dekoroje disa gazetarë që dolën nga kjo gazetë.
Nëse nuk doje dekorimin e gazetarit dhe analistit stoik Frrok Çupit mund të dekoroje Martin Lekën dhe Aleksandër Frangajn që u burgosën asokohe për shtypin e lirë. Nëse jo këta të dy, prapë kishe dy emrat VIP nga bota e gazetarisë, dikur ish-kryeredaktor të KOHA JONË, Ben Blushin apo Armand Shkullakun. Nëse jo edhe këta të dy, mund të sillja si propozim Zamir Dulen që u masakrua nga shërbimi sekret mu në qelitë e policisë së shtetit. Nëse prapë “jo” me Dulen, ka prapë nga KOHA JONË: Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Arian Çani, Andi Bushati, Henri Çili, Lorenc Vangjeli, Alfred Peza, Skënder Minxhozi, Aleksandër Çipa, Enton Abilekaj, Jonila Godole, Anila Basha, Arta Marku, Rudina Xhunga, Mimoza Dervishi, Vehab Kaba, Zenepe Luka, Vladimir Prela, Adriatik Dosti, Sokol Balla, Ilir Babaramo, Fatos Baxhaku apo Ilir Kulla.
Për dekoratë janë edhe i madhi Teodor Keko apo Edi Rama, Anila Denaj, të cilët ishin në vitet e para në median që theu frikën ndaj pushtetit. Edhe Spartak Ngjela, si avokat i përhershëm i medias së parë të pavarur shqiptare. Ka edhe më nga KOHA JONË: Kiço Blushi, Fatos Lubonja, Bujar Xhaferi që punuan në median kurajoze, KOHA JONE.
Nëse i doje krejt lezhjanë, nga ku doli numri i parë kjo gazetë legjendare, kemi piktorin e talentuar Pashk Përvathi i cili bëri logon e emrit KOHA JONË që nuk ka ndryshuar që nga viti 1991. Apo kryetarin e këshillit të parë botues të gazetës, studiuesin dhe intelektualin Tonin Çobani.
Nëse asnjëri nga këta të brezit të luftës se dekadës së parë të pluralizmit, kemi prapë në nivel dekorate presidenciale: Kejda Kostreci (sot te “Zëri Amerikës), Mimoza Picarin (VOA , Tiranë), Mentor Kikia apo Erli Murati. Edhe Tedi Blushi, zëdhënesi shpuzë presidencial, nga KOHA JONË ka dalë. Mund ta dekoroje, por me propozimin e komunitetit të gazetarëve.
Kemi edhe të tjerë, nëse doje!
Nëse as këta nuk të bindin, të paktën ish-kryeredaktorin e fundit të 30-vjetorit të KOHA JONË, Qamil Xhani./ Marrë nga ‘Koha Jonë’/
VERITAS.COM.AL