Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të vendoset fati i Partisë Demokratike, nëse vula do t’i takojë grupit të Sali Berishës apo atij të Enkelejd Alibeajt.
Të pranishëm në seancë, janë dy avokatët mbrojtës që përfaqësojnë Alibeajn, Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, dhe përfaqësuesit e Rithemelimit, Ivi Kaso, Ledina Mandia dhe Oerd Bylylkbashi.
Në ambientet e jashtme të këtij institucioni, është vërejtur prani e shtuar e forcave policore. Gazetari i Abc News, Ermal Vija ka raportuar se prania e shtuar policore nuk ka të bëjë me ndonjë reagim të mundshëm lidhur me procesin gjyqësor, por me faktin e protestës së paralajmëruar nga Sali Berisha.
Sali Berisha ka thirrur sot një protestë kombëtare, e cila do të nisë në orën 12. Aleati i tij, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do t’i bashkohet Berishës në selinë blu dhe më pas do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.