“Ne dëshirojmë t’iu japim amerikanëve një ulje taksash për Krishtlindje”, deklaroi presidenti amerikan Trump në Zyrën Ovale

Republikanët në Kongresin amerikan zbuluan sot në detaje projektin e tyre për reformën fiskale, për uljen e taksave, i prezantuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ky projekt konsiderohet  ‘historik’ dhe tashmë objektiv i madh i presidencës së tij.

“Ne dëshirojmë t’iu japim amerikanëve një ulje taksash për Krishtlindje”, deklaroi presidenti amerikan Trump në Zyrën Ovale.“Mendoj se kjo mund të ndodhë para Krishtlindjeve”, shtoi ai.

Pas disa muajve negociatash, teksti i projektligjit u publikua nga maxhoranca republikane, që kërkon të realizohet sa më shpejt.

Objektivi i parë është një miratim nga Dhoma e Përfaqësuesve para ditës së Falënderimeve, më pas shqyrtimi nga Senati dhe një votim përfundimtar para fundit të vitit. Katërqind e njëzet e nëntë faqet e tekstit legjislativ kanë filluar të shqyrtohen me lupë nga ekspertët dhe grupet e influencës për të zbuluar se si do të ndryshojë sistemi fiskal amerikan, gjë që përbën ndryshimin më të madh të kodit të taksave që prej kohës së Ronald Reagan, në vitin 1986.

Veritas.com.al/