Grupi hetimor nga prokuroria e Fierit ka ‘zbarkuar’ në vendin ku ndodhi shpërthimi në Lushnje. që u mori jetën dy personave dhe plagosi shtatë të tjerë. Gazetari Ermal Vija i abc news raporton se në vendngjarje ndodhen edhe punonjës të policisë dhe inxhinerë të OSHEE-së për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.

Ai thotë se po merren gjithashtu në pyetje edhe punonjësit e tjerë të kompanisë për të parë nëse janë rrespektuar rregullat e sigurisë teknike në punë. Sipas gazetarit Vija, paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer një nga bombulat e oksigjenit dhe më pas të jetë këputur një nga telat e linjës elektrike.

“Vendi ku ka ndodhur shpërthimi konsiderohet ende si nje skenë krimi. Janë një numër ekspertësh të policisë së shtetit që po bëjnë ekzaminimet për të parë shkakun e shpërthimit, ku paraprakisht dyshohet se është shkaktuar nga kontakti që ka pasur vinçi me linjën e tensionit të lartë dhe shpërthimi i bombulës me oksigjen. Është një numër i madh të ekspertëve, të inxhinierëve të OSHEE-së. Punonjësit e policisë janë duke vlerësuar edhe dëmet e shkaktuara. Janë prekur biznese të tjera të ndodhura rreth zonës. Përveç thyerjes së xhamave, janë dëmtuar edhe dyer dhe dritare në banesat pranë. Punonjësit e policisë kanë marrë punonjësit në pyetje për të parë nëse janë respektuar rregullat e sigurisë teknike në punë.”, raportoi gazetari Ermal Vija.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së premtes. Babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha, të cilët po punonin me vinç, prekën aksidentalisht telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar shpërthimin e bombolës me oksigjen. Shpërthimi rezultoi fatal për ta ndërsa të plagosur mbetën 7 persona, mes të cilëve deputeti Bujar Çela./