Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mbledhur sot ne një seancë, ku pritet të dëshmojë edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Gjatë fjalës së tij, deputeti i opozitës në Parlament, Adriatik Alimadhi deklaroi se ende nuk ka mbaruar objekti i pare i hetimit, ndërkohë theksoi se Dvorani është thirrur për zgjerimin e këtij hetimi.
“Ende nuk ka mbaruar objekti i parë i hetimit. Dvorani është thirrur për zgjerimin e hetimit. Duhet të mbarojë hetimi për dekretin e zgjedhjeve”, tha Alimadhi.
Ndërkohë, kryetrari i Komisionit Hetimor Ulsi Manja tha se mazhoranca kërkoi zgjerimin e objektit të hetimit për presidentin Meta, në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ardian Dvorani është paditur në SPAK nga Presidenti Ilir Meta, i cili e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”. Kreu i KED akuzohet nga Presidenti se “ka tentuar të bëjë grusht shtetit”, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni Hetimor për Metën nisi punën gjatë vitit të kaluar, ku synon të hetojë veprimet e Presidentit, që me çdekretimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale.
Kreu i Komisionit, deputeti Ulsi Manja tha se ky komision po ndjek të gjitha fazat procedurale. “Edhe raportin e Komisionit të Venecias do ta presim dhe delegacionin e Komisionin e Venecias e kemi pritur në të gjitha takimet në Tiranë. Jemi në zbatim të fazave që kemi përcaktuar”, tha Manja.
Ndërkohë Ardian Dvorani tregoi detaje nga procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
Veritas.com.al/