Një deputet i Partisë Demokratike, emri i të cilit u dëgjua vetëm sot në publik, Endri Hasa, ka qëlluar me vezë kryeministrin Edi Rama teksa ky po fliste në foltoren e Kuvendit. Deputeti opozitar i është afruar foltores me një vezë të fshehur në xhep, e ka nxjerrë vezën dhe i ka thënë Ramës ‘këtë e ke për studentët’.

Deputeti i është kthyer një zakoni të lashtë të gjakmarrjes nëpër periferitë e vendit, afër mesjetës, kur dikush që merrte gjak i thoshte viktimës: “Këtë e ke për X-in’.

Byroja e Kuvendit është mbledhur menjeherë pas ngjarjes  dhe ka vendosur përjashtimin e deputetit që qëlloi me vezë, për dhjetë ditë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit.

Përmes një postimi në Twitter, Rama thotë se të kthyer pas një kohe të gjatë në Kuvend, opozitarët e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë.

“Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jo-rrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”- shkruan Rama në Twitter.

Veritas.com.al/