Një ditë përpara protestës së 8 janarit, Lulzim Basha i është drejtuar të gjithë demokratëve që të qëndrojnë larg, pasi Sali Berisha ka mobilizuar trafikatë e kriminelë për dhunë. Kreu i PD theksoi se i ka mbyllur çdo derë për negociata ish-kryeministri Berisha pasi është shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Demokratëve u bëj thirrje tu rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon t’i përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna eshte streha e tij e fundit. Nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë. Jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundështimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që sherbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj. Kjo është e ardhmja që demokratët kanë zgjedhur, kjo do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike”, tha Basha.
Sot ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta do të jetë paqësore, por paralajmëroi punonjësit e selisë blu “të mos tremben” pasi qëllimi i protestuesve është hapja e dyerve të blinduara nga Basha. Berisha tha se kjo nuk do të bëhet me dhunë dhe pa armë luftarake, por siç e quajti ai “me mjete teknike paqësore” ndërsa ironizoi edhe kryedemokratin Basha se do e nxjerrin nga zyra e tij me “pekule”. Lidhur me dyert e blinduara, Berisha tha se do ja çojnë me kamion te dera e shtëpisë. Kërcënimin Berisha e ka pasur për mercenarët që sipas tij shoqërojnë Bashën se do të përballen me pasoja të rënda.
Të parët që shkuan në selinë e PD-së, pas afatit që Sali Berisha i kishte vendosur Lulzim Bashës për të liruar zyrën, ishin një grup deputetësh, me në krye Flamur Nokën, të cilët tentuan të hapin çdo derë, por e kanë gjetur atë të mbyllur. Ndërsa një ditë më parë ishte Aldo Bumçi, Gent Strazimiri dhe Ivi Kaso, të cilët u përballën me të njëjtën situatë të pakëndshme. Nesër, më datën 8 Janar, Sali Berisha ka thirrur një protestë kombëtare, ndërsa mbështetësit e tij do të mblidhen në selinë e PD-së.